Marrëveshja konsiderohet e mbyllur. Ancelotti, trajner i Brazilit deri më 2030

Carlo Ancelotti ka gjetur në Brazil ambientin ideal për ta vazhduar historinë e futbollit botëror. Trajneri aktual i “pentakampionëve” të botës do të nënshkruajë së shpejti një kontratë të re, që e mban në krye të përfaqësueses braziliane deri më 2030.

Drejtuesit e CBF, me presidentin Samir Xaud, e identifikuan që në fillim si njeriun e duhur për të drejtuar një ekip që kërkonte udhëheqje, duke marrë vendime të vështira si përjashtimi i Neymar nga grumbullimet, një lojtar me ndikim përtej aspektit sportiv.

Kontrata e ish-trajnerit të Real Madridit e vendos Ancelottin ndër më të paguarit në botë, duke reflektuar presionin që ka përjetuar gjatë karrierës në klube të mëdha si Milan, Juventus, PSG, Bayern dhe Real Madrid.

Prania e tij e ka rikthyer Brazilin ndër favoritët e Botërorit 2026, me mbështetje nga tifozët dhe respekt nga lojtarët. Marrëveshja me CBF është totale, pa dyshime për aspektin ekonomik apo kohëzgjatjen e kontratës. Mbetet vetëm ceremonia e firmës dhe njoftimi zyrtar se Ancelotti do të mbetet trajner i Brazilit deri më 2030.

The post Marrëveshja konsiderohet e mbyllur. Ancelotti, trajner i Brazilit deri më 2030 appeared first on Telesport.