Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje do të respektojë ligjet e vendeve evropiane për zhvillimin e tubimeve elektorale.
“Kjo ka të bëjë me ligjet e atyre vendeve, ne do t’i respektojmë dhe në Zvicër një gjë e tillë nuk është e ndaluar, dhe të shtunën do të jem atje,” tha Kurti në Kanal 10.
Megjithatë, kjo deklaratë bie ndesh me veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjermani, ku Qendra e LVV-së ka njoftuar se Xhelal Sveçla, Adnan Rrustemi dhe Luan Aliu kanë mbajtur një tubim politik në Püttlingen, në pjesën perëndimore të vendit.
“Nga vizita në Püttlingen e kandidatëve për deputet të Lëvizjes: Xhelal Sveçla, Adnan Rrustemi dhe Luan Aliu,“ thuhej në njoftimin e qendrës së LVV-së në Gjermani.
Theksojmë se Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka lëshuar dje një njoftim, ku ka paralajmëruar politikanët se aktivitetet e fushatës zgjedhore nga zyrtarët e huaj nuk lejohen tre muaj para se të mbahen zgjedhjet.
“Meqenëse kemi diasporë të madhe nga Kosova në Gjermani, dëshirojmë t’u kujtojmë të gjithë kandidatëve se, si rregull, aktivitetet e fushatës zgjedhore nga zyrtarët e huaj në Gjermani nuk lejohen në periudhën më pak se tre muaj para zgjedhjeve. Faleminderit për mirëkuptimin tuaj”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Sipas një note qarkore të Ministrisë së Jashtme Federale gjermane nga viti 2017, paraqitjet e politikanëve të huaj në ngjarje që synojnë elektoratin gjerman kërkojnë miratimin e qeverisë gjermane përmes një Note Verbale të dorëzuar të paktën dhjetë ditë para ngjarjes.
Miratimi nuk jepet zakonisht nëse fjalimi mbahet brenda tre muajve para zgjedhjeve ose referendumeve, dhe kërkohet që aktivitetet të jenë në përputhje me ligjet dhe rendin publik gjerman.
Ky rregull ka qenë më parë arsye për refuzime edhe ndaj përfaqësuesve të qeverisë turke në Gjermani gjatë periudhave zgjedhore.











