Champions / Chivu i druhet Liverpool-it: Është ekip i fortë edhe pa Salah

Pas fitores së madhe në shtëpi kundër Comos, Interi përgatitet të rikthehet në Champions, në “San Siro”, përballë Liverpool-it. Një sfidë shumë e vështirë për skuadrën e Chivu, që synon të ruajë ecurinë pozitive në Europë dhe të arrijë fitoren e pestë në 6 ndeshje.

Trajneri paralajmëron për rrezikun e kundërshtarit, pavarësisht momentit jo ideal: “Vitin e kaluar fituan Premier League, e nisën mirë këtë sezon dhe më pas patën vështirësi. Ata janë ndërtuar për këto nivele, kanë vlera individuale dhe kolektive. Duam intensitet dhe ta përballojmë ndeshjen si ata”.

Për Salah: “Përballë do të kemi një skuadër, jo vetëm një lojtar. Duhet të shqetësohemi për Liverpool-in si i tërë”. Për Akanji: “Të hënën nuk ishte mirë dhe e dërguam në shtëpi, sot do ta shohim”.

Për “Sky”, Chivu shtoi: “Liverpool-i është ndër skuadrat më të titulluara dhe ka ambicie çdo vit. Ne vijmë nga një periudhë e mirë, kemi besim dhe kërkojmë vazhdimësi e pikë për të qenë konkurrues”.

The post Champions / Chivu i druhet Liverpool-it: Është ekip i fortë edhe pa Salah appeared first on Telesport.