Skena të frikshme, ndeshja e futbollit kthehet në sherr masiv. 17 kartonë të kuq, ndërhyn policia (video)

Skena të çmendura, të pamundura për t’u lidhur me një ndeshje futbolli, tronditën Bolivinë pas ndeshjes së kthimit të çerekfinaleve të Kupës Kombëtare mes Real Oruro dhe Blooming. Ndeshja, e mbyllur 2-2, kualifikoi në gjysmëfinale mysafirët, por u shndërrua në një nga sherrat më të dhunshme që janë parë ndonjëherë në futboll.

Gjithçka filloi pas biblilit të fundit, kur lojtarët e Blooming festuan kualifikimin para syve të kundërshtarëve. Një lojtar i Oruros u ndje i provokuar dhe situata degjeneroi brenda pak sekondash: shtytje, grushta, goditje me këmbë dhe sulme kolektive, ndërsa stolet e dy skuadrave u bashkuan në sherr. Në stadiumin “Jesús Bermúdez”, mbi 3800 metra lartësi nga niveli i detit, u krijua beteja “të gjithë kundër të gjithëve”.

Pasi gjyqtari nuk arriti të rivendoste rendin, ndërhynë forcat e policisë me uniformë anti-plum. U përdorën shkopinj, mburoja, sprej piperi dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë dy grupet. Arbitri shënoi 17 të përjashtuar me kartonë të kuq; 11 lojtarë dhe 6 anëtarë të stafeve teknike.

Blooming humbet kësisoji 7 lojtarë, trajnerin Mauricio Soria dhe 2 bashkëpunëtorë; ndërsa Real Oruro humbet 4 lojtarë, trajnerin Marcelo Robledo dhe 2 ndihmës. Dosja do t’i kalojë Gjykatës Disiplinore të Federatës Boliviane, që pritet të vendosë një nga sanksionet më të rënda në historinë e futbollit vendas.

The post Skena të frikshme, ndeshja e futbollit kthehet në sherr masiv. 17 kartonë të kuq, ndërhyn policia (video) appeared first on Telesport.