Destiny Kosiso, talenti 12-vjeçar i Barcelonës, ka nisur një udhëtim të ri në karrierën e tij të hershme. Agjencia “Gol International Ltd” e Pini Zahavi njoftoi se “me vetëm 11 vjeç, Destiny firmosi javën e kaluar kontratën me Nike”. Ata publikuan edhe foton e firmës, duke theksuar: “Është i ri. Ka talent. Dhe po e tregon”.

Kosiso, që shkëlqen te Barça U-12 me 16 gola në 9 ndeshje, është djali i ish-futbollistit nigerian Ejike Paschal. Dy vëllezërit e tij, 17-vjeçari David Obinna dhe 16-vjeçari Divine Ikenna, kanë luajtur gjithashtu në akademinë e Barcelonës. Paschal tha për “The Sun”: “I kam tre fëmijë te Barcelona, por Destiny në këtë moshë është pak më i mirë”.

Sezonin e kaluar ai u bë i njohur me 145 gola në 52 ndeshje, duke tërhequr vëmendjen e gjithë botës së futbollit. Pini Zahavi, në një intervistë për “The Times”, pranoi se këshillon lojtarë nën 16 vjeç: “A është e paligjshme kontrata e tij me Nike? Jo, është plotësisht legale”. Rregullat e FIFA-s ndalojnë kontratat e përfaqësimit para moshës 16 vjeç, por nuk ndalojnë këshillimin për marrëveshje komerciale, si rasti i Kosisos me Nike. Zahavi tha: “Kjo është mënyra për të ndërtuar kontaktin me të ardhmen”.
The post Firmos kontratë komerciale me “Nike”, zbuloni talentin 12-vjeçar të Barcelonës me 145 gola appeared first on Telesport.











