Allegri nuk humb asnjë derbi që nga viti 2015, por kujdes me precedentët kundër “Djallit”

Në prag të derbit të së dielës, Inter–Milan sjell jo vetëm tension, por edhe statistika. Për Cristian Chivu ky do të jetë derbi i parë si trajner, ndërsa Massimiliano Allegri rikthehet pas gati 12 vitesh në pankinën ku jetoi derbet e viteve 2010–2014. Te Juventusi, Allegri ka një bilanc mbresëlënës ndaj Torinos: 18 derbi, 13 fitore dhe asnjë humbje që nga 26 prilli 2015.

Me Milanin, panorama ka qenë më e ndërlikuar. Derbi i tij i parë si kuqezi më 14 nëntor 2010 përfundoi 0-1, falë penalltisë së Ibrahimovic, në një sfidë që, ashtu si tani, u luajt në javën e 12-të të kampionatit dhe në “San Siron” zikaltër. Më pas erdhën fitoret 3-0, që çuan drejt titullit të 18-të dhe ajo në Superkupën Italiane.

Por vitet pasuese sollën vështirësi: më 2011-2012, Milani i humbi të dy derbet, duke i dhuruar praktikisht titullin Juventusit të Contes. Më 2012-2013 Allegri mori vetëm një barazim e një humbje, ndërsa në dhjetor 2013 u mposht nga goli i Palacios, ndeshje pas së cilës u shkarkua. Pavarësisht statistikave, kësaj here pritet një përballje e madhe.

 

 

 

The post Allegri nuk humb asnjë derbi që nga viti 2015, por kujdes me precedentët kundër “Djallit” appeared first on Telesport.