Trajneri i Spanjës ndërhyn në “sherrin” e fundit mes Yamal dhe Carvajal: Në kombëtare ka unitet, jo ndarje

Polemikat e pas “El Clásico” në “Bernabéu” nuk kanë kaluar pa jehonë. Pas përfundimit të ndeshjes, kamerat kapën një moment tensioni midis kapitenit të Real Madridit, Dani Carvajal, dhe talentit të Barcelonës, Lamine Yamal. Carvajal iu drejtua Yamalit me një gjest që nënkuptonte “flet shumë”, në mes të fushës, para tifozëve madrilenë. Përveç rivalitetit mes klubeve, situata ka tërhequr vëmendje pasi të dy janë figura kyçe të kombëtares spanjolle; Carvajal si kapiten, Lamine si ylli në ngjitje që pritet ta udhëheqë Spanjën në Botërorin 2026.

Në këtë kontekst, trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, foli për herë të parë mbi ngjarjen: “Nuk ka pasur asnjë incident, as ndonjë përplasje si në oborr shkolle. Në kombëtare ndiej vetëm unitet dhe frymë familjare”. I pyetur nëse kishte kontaktuar me lojtarët pas episodit, ai pranoi: “Po, kam folur me Dani Carvajal. Me Lamine kam folur shpesh më parë, si me të gjithë lojtarët”.

Trajneri nënvizoi se në kombëtare nuk ka asnjë sjellje të papërshtatshme dhe se fryma e grupit është ajo që mbizotëron: “Asnjë nuk ka treguar sjellje të çuditshme. Të gjithë e vënë të mirën e përbashkët mbi gjithçka tjetër”. Për ta theksuar këtë, De la Fuente kujtoi një moment nga “Euro 2024”, kur Yamal asistoi Carvajal për gol: “Unë dua të mbaj mend atë imazh, krosin e Lamine dhe golin e Carvajal, përqafimin dhe buzëqeshjet e tyre. Kjo është ajo që ndodh në kombëtare”.

The post Trajneri i Spanjës ndërhyn në “sherrin” e fundit mes Yamal dhe Carvajal: Në kombëtare ka unitet, jo ndarje appeared first on Telesport.