Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër pas deklaratave të kryeministrit në detyrë dhe kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, gjatë hapjes së fushatës për balotazhin e 9 nëntorit.
Në një postim në rrjetet sociale, Çitaku e ka quajtur “skandaloze” deklaratën e Kurtit, ku ky i fundit u tha qytetarëve se komunat që nuk udhëhiqen nga Vetëvendosje nuk do të përfitojnë nga investimet qeveritare, transmeton lajmi.net.
Sipas saj, ky nuk është vetëm një gabim politik, por “vazhdimësi e mënyrës së qeverisjes” së Kurtit, i cili sipas saj ka ndëshkuar komuna për arsye partiake.
“Ashtu ka qeverisur prej ditës së parë: me ndëshkim politik ndaj komunave që nuk udhëhiqen nga partia e tij. Ka komuna të qeverisura nga PDK që kanë përfituar 0 euro nga buxheti i Kosovës. E megjithatë, këto janë po ato komuna që kanë kryesuar listat e organizatave të pavarura për transparencë, menaxhim të buxhetit dhe qeverisje të mirë”, ka shkruar ajo.
Në fund, Çitaku tha se më 9 nëntor, në ditën e balotazhit, qytetarët do t’i japin përgjigjen Kurtit në mënyrën më të mirë demokratike: me votë.
“Skandaloze ishte shkalla e arrogancës dhe përbuzjes ndaj qytetarëve. A.K, ti fole sonte. Por më 9 nëntor, qytetarët do të flasin. Dhe atëherë do ta kuptosh se ky popull as nuk nënshtrohet, as nuk shantazhohet”, përfundoi ajo./lajmi.net/










