Lionel Messi ka të gjithë dëshirën të luajë në Botërorin 2026 me Argjentinën, por vendimin për pjesëmarrjen do ta marrë vitin e ardhshëm. Ai e shpjegoi këtë në një intervistë për NBC, pak ditë pas rinovimit me Inter Miami deri më 2028.
“Do të ishte e jashtëzakonshme nëse marr pjesë në Botërorin 2026, – tha Messi, i cili me dopietë udhëhoqi skuadrën e tij në fitoren 3-1 ndaj Nashville, në ndeshjen e parë të “play off”-eve të MLS. – Dua të jem në formë të mirë dhe të luaj një rol të rëndësishëm për ta ndihmuar kombëtaren, nëse do të jem aty”.
Messi luajti ndeshjen e tij të fundit të madhe me kombëtaren në shtator, në fitoren 3-0 ndaj Venezuelës, ku shënoi dy gola para se të përlotej për lamtumirën nga fanella e Argjentinës, sa iu përket ndeshjeve në shtëpi.
“Kur të fillojë përgatitja me Inter Miami vitin e ardhshëm, do të vlerësoj çdo ditë nëse mund të jem 100% i gatshëm dhe i dobishëm për skuadrën dhe kombëtaren, pastaj do të marr një vendim. Sigurisht që kam dëshirë, sepse është fjala për Botërorin. Ta mbronim titullin e fituar në Katar do të ishte fantastike”, – shtoi ai.
The post Messi: Fantastike, po ta mbronim titullin. Dua të jem në Botërorin 2026, por do ta vendos… appeared first on Telesport.










