Analisti Vehbi Kajtazi ka komentuar në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës rastin e hedhjes poshtë të kallëzimit penal të Mimoza Kusari-Lilës kundër tij për publikimin e bisedës telefonike të kryetares së Alternativës me Millan Radoiçiqin.
Në një aktvendim të nxjerrë javën e kaluar, Prokuroria Speciale ka konstatuar se nuk ka gjetur elemente të veprës penale në rastin e publikimit të audio-incizimit të publikuar nga Paparaci.
Kusari-Lila, në tetor të vitit të kaluar parashtroi kallëzim penal për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit ndaj gazetarit Kajtazi.
Rreth kësaj çështjeje, Kajtazi theksoi se sot e ka pranuar edhe njoftimin për rastin nga ana e prokurorisë.
“Sot e kam marrë një njoftim prej Prokurorisë Speciale që ka hedhur poshtë një kallëzim penal të Mimoza Kusari-Lilës kundër meje. Publikisht kanë thënë se është e montuar, është rrenë. Në prokurori, Zonja e nderuar, ka thënë kjo bisedë është e vërtetë, s’ ka manipulim. E kam publikuar sot aktvendimin”.
“Albin Kurti nuk punon për interes të këtij vendi dhe duhet me i dalë ballë dhe me u ballafaquar me të deri në maksimum sa e lejojnë ligjet tona, demokracia jonë”. Qysh mundet Albin Kurti, Mimoza Kusari me u koordinuar me Milan Radoiçiqin dhe me Slavko Simiqin, të dy njerëz të Vuçiqit”, deklaroi mes tjerash ai, transmeton Klankosova.tv.