Dr.Sc. Antigona Gashi rikthehet nga Amerika për Pejën, garon me PDK-në

Dr.Sc. Antigona Gashi, shqiptaro-amerikane e lindur në Pejë, i është bashkuar garës për Asamblenë Komunale të Pejës nga radhet e PDK’së.

Pas më shumë se tri dekadash qëndrimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo rikthehet për të kontribuar në zhvillimin e vendlindjes së saj me përvojën akademike dhe profesionale të fituar jashtë vendit.

E njohur si mbështetëse e Lidhjes Shqiptaro-Amerikane (AACL), themeluar nga ish-kongresmeni Joseph J. DioGuardi, Dr. Gashi ka punuar në sektorin publik dhe privat në SHBA, duke sjellë një bagazh të pasur në drejtësi dhe lidership.

“Unë besoj se çdo fëmijë meriton një arsim cilësor dhe çdo qytetar meriton një jetë dinjitoze. Si përfaqësuese e juaj, do të punoj me përkushtim për t’i siguruar që shkollat dhe familjet tona të jenë shtyllat e një shoqërie të fortë”, ka deklaruar ajo.

Dr. Gashi është e doktoruar në Lidership Ekzekutiv dhe Drejtësi në Universitetin e Charleston (2023), ka përfunduar dy mastera në Drejtësi Penale dhe Lidership, si dhe një diplomë Bachelor në Administrim Biznesi në Nju Jork.

Me moton “Nga Amerika për Pejën”, ajo synon të sjellë praktika moderne menaxhimi dhe zhvillimi, duke vënë theksin te interesi publik, arsimi cilësor dhe përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve të Pejës. /Demokracia.com/