Shkruan: Burim Gjaka
Tashmë kur jemi në vlugun më të madh të fushatës zgjedhore për kryetarë komunash, qytetarët kanë të drejtë të shohin e ndëgjojnë më shumë dhe më kjartë se deri më tani. Ballafaqimi i kandidatëve po ndodhë kryesisht në debate televizive dhe aty votuesit po munden të absorbojnë vetëm një përqindje të vogël nga ajo që janë të interesuar, dhe kjo po ndodhë me fajin e kandidatëve dhe më shumë të moderatorëve që i drejtojnë ato emisione.
Moderatorët e studiove televizive të cilët drejtojnë emisione gjatë fushatës zgjedhore, ose duhet t’i organizojnë debatet si duhet, ose të mos i mbajnë fare, vetëm sa për të thënë. Kandidatët për kryetar komune duhet ta kenë hapësirën e mjaftueshme për t’i elaboruar idetë ose projektet e tyre për çështje ose fusha të caktuara, sepse nuk mjafton vetëm të përmenden planet pa i zbërthyer: si do të implementohen, kur do të implementohen, kush do të jenë implementuesit, nga do të sigurohen financat dhe a lejon infrastruktura ligjore aktuale realizimin e projekteve të tilla.
Konsideroj se moderatorët jokompetent po i devijojnë këto debate duke i lejuar kandidatët të prezantojnë gjëra të cilat nuk mund të realizohen për 10 vite, e lëre më për një (1) mandat. Shpeshherë po prezantohen dhe premtohen projekte që nuk hyjnë fare në domenin e kryetarëve të komunave. Kandidatët për kryetar duhet të “djersitin” nga moderatorët, nuk duhet të kursehen asnjë grimë, sepse kanë marrë guximin që të kërkojnë besimin për të udhëhequr komunën në 4 vitet e ardhshme. Dhe kjo nuk do të duhej të bëhej pa qenë kompetent. Komuna nuk duhet të trajtohet si lojë, sepse kryetari bart në supe jetën e qytetarëve për 4 vite, e nëse nuk qeveris mirë, pasojat mbesin për dekada.
Qytetarët kanë nevojë dhe duhet t’i kenë të qarta, të matshme dhe të detajuara projekt-propozimet e kandidatëve para se të vendosin kujt t’ia japin besimin. Kandidatët për kryetar duhet të kenë ekipe profesionale të cilat i konsultojnë kur hartojnë planet e tyre, dhe jo vetëm të shkruajnë diçka në letër sa për ta lexuar para mediave – e ndonjëherë duke pasur problem edhe për ta lexuar, për shkak të mungesës së trajtimit serioz të problematikës apo mungesës së informacionit. Unë do të doja që secili kandidat ta ketë broshurën e shtypur, të detajuar për secilin projekt që propozon dhe ato broshura t’u shpërndahen qytetarëve, në mënyrë që qytetarët t’i vlerësojnë ato projekte dhe pas 4 viteve t’i ballafaqojnë kandidatët fitues me të bëmat ose të pabëmat e tyre.
Gjatë javës së parë kemi dëgjuar projekte që as nuk janë analizuar mirë, as nuk janë zbërthyer mirë dhe as nuk mund të realizohen, sidomos në fushën e arsimit. Prandaj, në ditët në vijim do t’i analizojmë ato – jo individët, por vetëm premtimet.