James Rubin, monument i gjallë i drejtësisë për Kosovën, zëri që vulosi të vërtetën e UÇK-së

Shkruan: Albanez Tahiraj

Dëshmia e James Rubin në Gjykatën Speciale është një moment i rrallë, ku e vërteta flet me zë të qartë e të fuqishëm. Ai nuk është një zë i zakonshëm, por është një personalitet me kredibilitet ndërkombëtar, një dëshmitar i kohës kur Kosova po luftonte për mbijetesë, e kur bota demokratike e pa me sy të saj se kush ishte agresori dhe kush ishte viktima.

Rubin e tha me përgjegjësi atë që ne e dimë dhe e kemi jetuar, lufta e UÇK-së ishte e pastër, e drejtë dhe e domosdoshme. Prandaj, asnjë gjykatë, asnjë propagandë dhe asnjë tentativë për të përmbysur historinë nuk mund ta zbehë këtë të vërtetë. Kur një personalitet i tillë, me peshën e përvojës dhe me integritetin e tij, flet në favor të UÇK-së, ai nuk mbron vetëm një ushtri çlirimtare, por ai mbron vetë kuptimin e fjalës liri.

Kjo dëshmi është thikë në zemër të çdo përpjekjeje për ta njollosur luftën tonë. Është kujtesë për të gjithë ata që harrojnë, dhe që tentojnë të shtrembërojnë të vërtetën e kristalizuar.

Historia është e shkruar me gjak e sakrificë, jo me insinuata të fabrikuara. UÇK-ja ishte, është dhe do të mbetet faqja më e ndritur e Kosovës së lirë dhe të pavarur.

Krejt në fund, propozoj që:

1. Një ditë, Kosova duhet të ketë një përmendore për James Rubin, si mirënjohje për zërin që foli të vërtetën në mbrojtje të luftës sonë çlirimtare.

2. Një ditë, Kosova duhet t’i japë emrin e James Rubin-it një shkolle ose institucioni, për ta bërë mirënjohjen tonë të përhershme.

3. Një ditë, Kosova duhet të themelojë Çmimin “James Rubin”, për të gjithë ata që ngrisin zërin për të vërtetën dhe drejtësinë.

4 Një ditë, Kosova duhet t’i japë James Rubin-it dekoratën më të lartë të shtetit, si falënderim për dëshminë e tij historike.