Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, pritën në një takim mirëseardhës, menaxheren e re të Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Carole Megevand, transmeton KosovaPost.
Në një komunikatë për medie theksohet se bashkëpunimi ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Bankës Botërore në katër vitet e fundit është forcuar, derisa kryeministri Kurti shprehu bindjen dhe gatishmërinë e tij për thellim dhe forcim të mëtutjeshëm të këtij bashkëpunimi nën udhëheqjen e Megevandit.
“Kurti rikonfirmoi përkushtimin e qeverisë për projektet e përbashkëta, përfshirë ato që po presin ratifikimin në parlament, ndër to edhe ai për themelimin e Bankës Zhvillimore, e cila do të bëhet me mbështetjen e Bankës Botërore. Përkushtimi dhe angazhimi i qeverisë vërtetohet edhe nga vendimi për t’u bërë vend donator në Asociacionim Ndërkombëtar për Zhvillim – si një tregim suksesi i kalimit nga një shtet përfitues në një shtet donator”, thuhet në komunikatë.
Tutje, sipas njoftimit, kryeministri në detyrë tha se prioritet i përbashkët mbetet investimi në kapitalin njerëzor, mjedis, energji, transformim digjital, dhe në ngritjen e efikasitetit të zbatimit të projekteve, për çka do të bashkëpunojnë ngushtë me Bankën Botërore dhe institucionet tjera financiare ndërkombëtare.
Kurti shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin e deritanishëm me Bankën Botërore dhe për mbështetjen e Bankës Botërore ndaj Kosovës dhe rrugës saj për një zhvillim të qëndrueshëm.