Karolina, një trajnere profesioniste e kuajve me prejardhje nga Gjermania, ka lënë pas jetën e saj në Perëndim për të ndjekur pasionin që e ka ndjekur që fëmijë: punën me kuajt. Sot, ajo jeton në një fshat të qetë në Kosovë, ku kujdeset dhe stërvit kuaj, veçanërisht të racës arabe, me të cilët ka krijuar një lidhje të thellë shpirtërore.
“Jam Karolina dhe vij nga Gjermania. Kam lindur dhe jam rritur atje, por përvojën më të madhe e kam marrë në Spanjë, ku kam jetuar për më shumë se dhjetë vjet dhe kam studiuar trajnimin e kuajve me metoda të avancuara”, thotë ajo.
E vendosur tani në një stallë modeste në Kosovë, Karolina trajnon kuaj jo vetëm për qëllime sportive, por edhe terapeutike. Një nga kuajt që i ka rrëmbyer zemrën është një kalë arab i rrallë, që sipas saj është “i shpejtë, i mençur, dhe sillet si mbret”.
“Ky kalë ka prejardhje arabe, ka lindur në Amerikë dhe është rritur në Evropë. Ka një fuqi të jashtëzakonshme dhe një inteligjencë që e bën të veçantë. Ne kemi një lidhje që shkon përtej trajnimit – është një dialog i heshtur mes meje dhe tij”, tregon Karolina.
Për të, trajnimi nuk është vetëm teknikë. Është një proces i ndjeshëm, i ndërtuar mbi respekt dhe durim, ku çdo hap dhe komandë është një formë komunikimi e ndërsjellë.
Përveç punës me kuajt, Karolina ka krijuar një lidhje të fortë me kulturën dhe njerëzit e Kosovës. Ajo thotë se është mahnitur nga mikpritja dhe lidhja e ngushtë që njerëzit këtu kanë me natyrën.
“Mendoj se Kosova është ndryshe nga pjesa tjetër e Evropës. Këtu njerëzit janë më të lidhur me natyrën, dhe kjo është diçka shumë e veçantë për mua. Kam ndjerë që jam e mirëpritur dhe se këtu mund të ndërtoj diçka me vlerë”, tha ajo për Tv Dukagjinin.
Karolina ka një vizion të qartë: të ndërtojë një kulturë të re të lidhjes së njeriut me natyrën përmes kuajve. Ajo beson se, në një botë ku teknologjia po zë çdo hapësirë, është koha që njerëzit t’i rikthehen lidhjes me tokën dhe qeniet që e banojnë atë.
“Kuajt na tregojnë kush jemi në të vërtetë. Janë të ndjeshëm, të mençur dhe krijojnë lidhje emocionale të fuqishme me njerëzit. Me ta, ndërtimi i një bote më të ndjeshme është i mundur”, përfundon Karolina.
Në Kosovë, ajo nuk po ndërton vetëm një stallë – por një mënyrë të re jetese, ku dashuria për kuajt bëhet kulturë dhe respekti për natyrën, një mënyrë e të jetuarit./Telegrafi/