Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se takimi trepalësh i paraparë për të hënën në Bruksel nuk është mbajtur për shkak të vonesave nga pala serbe, shkruan Gazeta Sinjali.
Ai tha se ka zhvilluar takim bilateral me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
“Ka qenë i paraparë edhe një takim trelateral, por nuk ka mundur të ndodhë për shkak se kanë ndodhur komplikime me ekipin e Serbisë, i cili nuk ka arritur në Bruksel për shkak të vonesave”, tha Bislimi për Kohën.
Në këtë takim të parë me Sorensenin, Bislimi paraqiti qasjen që Kosova do të ketë në fazat e ardhshme të dialogut, duke përmendur edhe takimet që do të udhëhiqen nga presidentja e Komisionit Evropian të zgjedhur rishtas, Kaja Kallas.
Ndër temat kryesore të diskutuara ishin zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, hapja e pikave sezonale në Bujanoc dhe Breznicë për udhëtarët nga diaspora, si dhe pengesat nga Serbia për njohjen e certifikatave kosovare. Po ashtu, Bislimi kërkoi çbllokimin e fondeve për shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe denoncoi fushatën dezinformuese të Serbisë kundër Kosovës.
Ai theksoi se këto çështje kërkojnë përgjigje dhe zgjidhje urgjente nga Brukseli.