Nisën më 2011, por ende s’janë kryer banesat për familjet e dëshmorëve në Skenderaj (Video)

Banesa të destinuara për 220 familjet e dëshmorëve të luftës së fundit në Kosovë, por edhe për disa veteranë.

Mirëpo, janë bërë 10 vjet qëkur njëra ndërtesë ka përfunduar, por nuk po shfrytëzohet për këtë qëllim, raporton KTV.

Familjarët e dëshmorëve thonë se nuk e dinë arsyen se pse nuk po bëhet shpërndarja e këtyre banesave për ta.

Për arsyen e mosndarjes së banesave për familjet që janë të destinuara, nuk është në dijeni as Shoqata e familjeve të dëshmorëve të UÇK-së.

Zyrtarë të saj thonë se kanë kërkuar disa herë përgjigje nga udhëheqësit komunalë.

Por, në katin përdhesë të kësaj ndërtese, është duke operuar një biznes, i cili edhe ka ndërtuar banesat.

I kontaktuar nga televizioni, Rrustem Rukolli, pronari i kompanisë Rukolli, ka thënë se Komuna i ka borxh edhe 400 mijë euro që ishin planifikuar për ndërtim edhe të 2 ndërtesave të tjera.

Ai ka thënë se në katin përdhesë nuk është duke funksionuar biznesi i tij, por punëtorët janë duke bërë rojë.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Skënderajt, Bekim Jashari, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se këto banesa nuk mund të ndahen pa u finalizuar edhe objektet e tjera, pa treguar se pse është bërë kjo vonesë.

Përderisa Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për ndërtimin e këtyre banesave ka ndarë 1 milion euro, të cilat është dashur të përfundojnë në vitin 2012.

https://youtu.be/7hQSxxaml9k