Bizneset pa marrëveshje me operatorë energjetikë

U kanë mbetur edhe 7 ditë para se të kalojnë në tregun e lirë energjetik, mirëpo bizneset ende nuk kanë lidhur marrëveshje me ndonjë operator për t’u furnizuar nga qershori. 

Kjo pasi ofertat që kanë marrë nga KESCO, sipas tyre janë rreth 300% më të shtrenjta se çmimi aktual.

“Kur i kemi me Holandë me shtete të jashtme jemi dyfish ma shumë, 140 e ka Holanda na 260-270 Mw”, tha Hamdi Malushaj, biznesmen.

Malushaj nuk ka përjashtuar mundësinë e protestave.

” Vijmë deri te protestat e mëdha ku gazi lotsjellës që s’ka mujt me ndal vendimin e atëhershëm për me e fal e me hup të drejtën energjetike ne Kosovë i bjen e njëjta situata sot me nal me gaz lotsjellës vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) këta le ta mendojnë”, tha ai.

Nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë po insistojnë që kalimi në tregun e lirë të shtyhet, pasi sipas tyre dëmi për bizneset do të jetë shume i madh.

“Kjo situatë ka me vazhdu me u thellu edhe më keq e për me keq është se disa biznese të cilat po i shqyrtojnë disa mënyra të funksionit të ardhshëm ose të ulin numrin e punëtorëve të prodhimit dhe ka disa prej tyre që po planifikojnë ta mbylli në Kosovë dhe ikin krejt jashtë”, tha Kushtrim Ahmeti nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë.

Mirëpo nga ZRRE i kanë thënë RTK-së se vendimi për treg të lirë do të hyjë në zbatim nga 1 qershori dhe se kanë bërë përgatitjet e nevojshme në këtë drejtim.

E bizneset që nuk do të lidhin marrëveshje për furnizim me operatorë deri në qershor, do të furnizohen për 60 ditë nga Korporata Energjetike e Kosovës.

Gjatë kësaj kohe, të njëjtat duhet të arrijnë marrëveshje.

Me kalimin në tregun e lirë energjetik është alarmuar për mbyllje të shumë bizneseve pas raportimeve se energjia elektrike do t’u shitet me çmim shumë më të lartë.