Uk Lushi: Shteti i Kosovës do të duhej të dënonte personelin e Gjykatës Speciale me dekada vite burg

Ish-ushtari i UÇK-së dhe aktivisti shqiptar në Amerikë, Uk Lushi, ka reaguar pasi kryetarja e Gjykatës Speciale, Trendafilova, ka anuluar konferencën për media pas protestës së veteranëve të UÇK-së.

Sipas tij, trajtimi i veteranëve ndaj gjyqtares Trendafilova ishte i duhur sepse ajo dhe institucioni që përfaqëson ajo nuk i kanë trajtuar aspak mirë krerët e UÇK-së.

Lushi ka shtuar se organet e shtetit të Kosovës po të ishin në nivel të detyrës do të duhej ta hetonin dhe gjykonin personelin e Speciales duke i dënuar me burgime me dekada.

Postimi i plotë:

Ish-komunistja bullgare Trendafilova sot mori më pak se 1/ 100 000 000 të trajtimit të keq që Specialja ia bën shtetit të Kosovës dhe shqiptarëve tash e 5 vjet. Populli nuk e ha sapunin për djathë më.

E sheh se Gjykata Speciale nuk sillet as si gjykatë e as si e Kosovës, por si instrument politik mbi Kosovën. Organet e shtetit të Kosovës po të ishin në nivel të detyrës do të duhej ta hetonin dhe gjykonin personelin e Speciales duke i dënuar me burgime me dekada, mirëpo ne nuk kemi shtet. Kemi iluzionin e shtetit, prandaj na nëpërkëmbë tylifar i huaji që as në familjet e tyre nuk ia rras kush. Prandaj duhet ende të veprojnë veteranët e UÇK-së.

Dikush më tha: tash Gjykata hakmerret ndaj atyre në Speciale. Gjykatat duhet të jenë të pandikuara nga reagimet e popullit dhe nëse gjykatësit e Speciales hakmerren pse populli po ua sheh abuzimet, atëherë ata vërtetë duhet burgosur sapo Kosova të këtë vërtetë shtet dhe organe. Nuk ka asnjë arsye të pranohet abuzimi. Specialja kur po abuzon dhe dënon po e bën këtë në emër të popullit.
Populli sot i tha Tredafiloves— jo abuzime në emrin tonë!
Nderim për veteranët e UÇK-së!