Një incident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 22:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ku një person është lënduar me mjet të mprehtë.
Ndërkohë, për Gazetën Express, shefi i Klinikës së Emergjencës në QKUK, Ejup Govori, bëri të ditur se pacienti është duke u trajtuar në emergjencë dhe se lëndimet janë serioze, por ai është jashtë rrezikut për jetë.
“Pacienti është duke u trajtuar në emergjencë. Lëndimet janë serioze, por jashtë rrezikut për jetë,” tha Govori.
Policia e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e një të dyshuari në lidhje me rastin.
“Sot rreth orës 22:00, kemi marrë informatën për një lëndim trupor të ndodhur në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nga një mjet i mprehtë është lënduar një person. Personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që për përfshirje në këtë rast policia ka arrestuar një person të dyshuar,” deklaroi zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti.