Zefaj: Rritja e tarifave për energji prej 250% për biznese do të prekë në xhepin e secilit qytetar

Engelbert Zefaj, i cili është profesor universitar, ka thënë se aplikimi i tarifave për biznese do të ndikojë drejtpërdrejt në jetën tonë, sepse çdo produkt që marrim si lëndë të parë ka energjinë elektrike.

Shumë kompani, sipas profesorit Zefaj, ose do të tkurren ose do të falimentojnë, derisa ato që do t’i mbijetojnë këtyre tarifave do të rrisin secilin çmim të produkteve të tyre dhe kjo do të bie në kurriz të qytetarëve.

“Rritja e tarifave deri në 250% për biznese do të prekë secilin nga ne, për shkak se çdo produkt që konsumojmë ka si lëndë të parë energjinë elektrike. Kjo do të rrisë edhe më shumë çmimet, krahas rritjeve të deritanishme për shkak të inflacionit. Qeveria nuk po ndërhyn as në rritjen e çmimit të energjisë, por nuk ka ndërmarrë asnjë masë për t’ua lehtësuar qytetarëve jetën për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimit të produkteve bazike për jetesë”, ka pohuar Zefaj.

Sipas Zefajt, secila qeveri, prej vitit 2015, kur Kosova është bërë pjesë e Procesit të Berlinit dhe ka marrë obligime, është dashur që të nisë dhe përfundojë gjitha çështjet që lidhen me energjinë elektrike, por fatkeqësisht as nuk kemi kapacitete të reja gjeneruese e as nuk kemi përfunduar gjitha marrëveshjet me fqinjët tanë për shfrytëzimin e autostradave energjetike.

Përveç kësaj, qeverisë aktuale i ka munguar dialogu me biznese dhe kemi ardhur në këtë gjendje që është vështirë e përballueshme.

“Po shihet qartë tashmë që bizneset, edhe përkundër vullnetit, nuk janë të përgatitura për të dalë në treg të hapur, nuk kanë resurse të mjaftueshme njerëzore të përgatitura, sepse blerja e energjisë duhet të bëhet në bursa ndërkombëtare. Qeveria nuk është marrë fare me këtë çështje që t’u ndihmojë bizneseve qoftë edhe me trajnime, sepse blerja e energjisë në treg të hapur është diçka e re për secilin biznes. Krejt çka ka bërë qeveria që 5 vite është që i ka sulmuar pamëshirshëm bizneset, duke harruar se këto biznese kanë mbi 450 mijë të punësuar dhe janë po këto biznese që mbushin arkën e shtetit”, ka shtuar Zefaj.

Rritja e tarifave të energjisë elektrike, sipas Zefajt, do të ulë edhe më shumë mundësinë e eksportit të produkteve kosovare, sepse me rritjen e çmimit të tyre, ato do të jenë të pabarabarta në tregjet e jashtme.