Papa Françesku ndërroi jetë më 21 prill 2025 në moshën 88-vjeçare, pas një goditjeje në tru që çoi në dështim të zemrës. Ai vuante gjithashtu nga pneumonia dhe probleme të tjera respiratore.
Funerali i Papës do të mbahet të shtunën, më 26 prill 2025, në orën 10:00 në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
Ceremonia do të udhëhiqet nga Kardinali Giovanni Battista Re dhe do të përfshijë ritin tradicional të “Ultima commendatio” dhe “Valedictio”.
Në një vendim që thyen traditën shekullore, Papa Françesku ka kërkuar të varroset në Bazilikën e Santa Maria Maggiore në Romë, në vend që të prehet në Vatikan si paraardhësit e tij.
Ky vendim reflekton përkushtimin ndaj Virgjëreshës Maria dhe dëshirën për një varrim të thjeshtë, raporton dw.
Ai do të varroset në një arkë të thjeshtë prej druri të veshur me zink, pa dekorime të veçanta, përveç emrit të tij papnor në latinisht “Franciscus”.
Ky është një ndryshim nga tradita e mëparshme që përfshinte tre arka (druri, plumbi dhe lis).
Françesku është Papa i parë që nuk u varros në Bazilikën e Shën Pjetrit në rreth 150 vjet. I fundit që e theu këtë traditë ishte Papa Piu IX (1846-1878). Ndërsa trupi i tij u varros fillimisht në Shën Pjetrin, ai u transferua në bazilikën e San Lorenzo fuori le Mura tre vjet më vonë.