Zelensky ia tregon vijat e kuqe SHBA-së për luftën me Rusinë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka reaguar ashpër pas raportimeve të mediave ndërkombëtare në lidhje me një propozim të pretenduar nga i dërguari i presidentit amerikan, Donald Trump, Steve Witkoff.

Sipas raportimeve, Witkoff kishte zhvilluar një takim në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin, ku ndër temat e diskutuara dyshohet të ketë qenë edhe ndarja territoriale e Ukrainës dhe njohja e disa rajoneve të pushtuara si pjesë e Federatës Ruse.

Zelensky e cilësoi këtë si të papranueshme, duke theksuar se sovraniteti dhe integriteti territorial i Ukrainës nuk janë të diskutueshme.

 

“Këto janë vijat tona të kuqe – të njohësh territoret e pushtuara si ruse. Witkoff po diskuton çështje jashtë kompetencës së tij,” deklaroi ai me vendosmëri, duke nënvizuar se askush, përfshirë edhe përfaqësues jozyrtarë të shteteve të huaja, nuk ka të drejtë të negociojë në emër të Ukrainës ose të bëjë lëshime që cenojnë tërësinë e saj territoriale.

Kjo deklaratë vjen në një kohë delikate për diplomacinë ndërkombëtare, teksa lufta në Ukrainë vijon dhe çdo sinjal për kompromis mbi territoret e pushtuara mund të ketë pasoja të rënda politike dhe morale për Kievin.

Reagimi i presidentit ukrainas është një mesazh i qartë se Ukraina nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që nuk respekton kufijtë e saj të njohur ndërkombëtarisht.

Ndryshe, Zelensky ka pritur sot në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.