Një rast tronditës është raportuar në Policinë e Kosovës, ku një grua me aftësi të kufizuara nga fshati Syrigan i Skenderajt dyshohet se është dhunuar disa muaj më parë, ndërsa ngjarja u zbulua vetëm pasi ajo rezultoi shtatzënë.
Burimet e mediumit sinjali bëjnë me dije se sot, në stacionin policor është paraqitur vëllai i viktimës, i cili ka raportuar se motra e tij, e cila ka aftësi të kufizuara dhe nuk mund të flasë, është dhunuar nga një person i panjohur para katër muajsh.
Sipas familjarëve, ngjarja ka mbetur e pazbuluar deri më dje, kur viktima është dërguar për kontroll mjekësor dhe mjeku ka konstatuar se ajo është shtatzënë prej katër muajsh.
Në lidhje me rastin është informuar edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit dhe nisjen e hetimeve për të identifikuar të dyshuarin.
Organet e rendit janë duke punuar për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.