Shqetësuese: Numri i gjinisë femrore që përdorin drogë në Kosovë, çdo ditë e në rritje

Arjeta Musliu tregon një rritje shqetësuese të përdoruesve të drogës nga gjinia femërore, duke theksuar se numri i vajzave të varura është në rritje çdo ditë.

Ajo shton se fenomeni ka përfshirë edhe individë deri në moshën 50 vjeçare, një pasojë e pandemisë, ku shumë njerëz që kishin biznese të mbyllura kanë filluar të përdorin drogat si një “ngushëllim” për stresin e situatës.

“Numri i gjinise femërore si përdoruese të drogës është çdo ditë e në rritje. Mbrëmë takova një çift, vajza 16 vjeçe, djali 18, të dy e pranuan që janë nën ndikimin e lëndëve narkotike. Jemi të shqetësuar, sepse numri dita ditës po shkon duke u rritur

“Kur e them moshën deri në 50 vjeç, kjo ka ndodhur tre vitet e fundit, dhe si shkak e shoh pandeminë, ku një pjesë që kanë pasur biznese dhe janë mbyllur, kanë filluar ta pijnë si ngushëllim.”

Musliu nga qendra “Ri Jeta”, për Expose tregoi edhe si fillon varësia nga narkotikët dhe cilët janë ata që mund të furnizohesh shumë lehtë edhe në tregun tonë.

“Aktualisht, i kemi moshat deri në 30 vjeç që kërkojnë ndihmë. Konsumuesit e drogës tregojnë që hapi i parë e nisin me llojin e marihuanës, pastaj nuk mjafton dhe kërkohet diçka më e fortë ku kalon në kokainë. Fatkeqësisht, në tregun lehtë mund të furnizohesh edhe me ekstazi. Kalohet tutje tek heroina, që konsiderohet si droga më e rëndë.”