Starmer dhe Macron do të vizitojnë Washington-in mes bisedimeve për Ukrainën

Macron do të takohet me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron do të takohet me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme, raporton Agence-France-Press, duke cituar një zyrtar amerikan.

Kryeministri i Britanisë Keir Starmer pritet gjithashtu të vizitojë Washington-in javën e ardhshme, mes takimeve të tjera që synojnë t’i japin fund luftës së Rusisë në Ukrainë, raporton Reuters, duke cituar këshilltarin amerikan për sigurinë kombëtare, Mike Waltz.

I pyetur për shanset për të arritur një marrëveshje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës, Waltz tha për Fox News: “Ne po angazhohemi nga të gjitha anët, dhe pastaj hapi tjetër është që ne do të vendosim ekipet teknike për të filluar të flasim për më shumë detaje”.

Të mërkurën, Macron priti një tjetër takim të liderëve – kryesisht online – pas samitit të së hënës në Pallatin Elysee.

Diskutimet e kësaj pasdite përfshinin Suedinë, Finlandën dhe tre vendet baltike të BE-së, të cilat të gjitha kufizohen me Rusinë.

Për tre vitet e fundit, Evropa është mburrur në mënyrë të përsëritur se do të qëndrojë me Ukrainën për aq kohë sa duhet.

Në 24 orët e fundit, asnjë lider evropian nuk e ka sfiduar haptazi pretendimin e rremë të Trump se ishte Ukraina ajo që filloi konfliktin.