Tollovitë e shumta me platformën online të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e ka shtyrë këtë institucion t’i bëjë thirrje Prokurorisë së Shtetit që t’i bie mas këtij problemi.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, përmes një konference të cilën e mbajti për t’i sqaruar problemet që po ndodhin me numërimin e votave për deputetë.
Pavarësisht problemeve, të cilat nisën qysh nga fillimi i procesit të numërimit, Elezi tha se integriteti i votës së 9 shkurtit nuk është cenuar.
Ndonëse për incidentin e natës të së martës nuk u tha asgjë në konferencë e as nuk u kthye përgjigje, Kiksi ishte aty dhe përcolli gjithçka nga afër.
Planifikohej që puna të niste intensivisht nga ora 16:00.
Mirëpo zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mbrëmjen e së martës më shumë pushuan se sa punuan.
Kjo pasi sistemi elektronik i KQZ-së, dhjetëra herë pushoi së funksionuari.
Si pasojë, numërimi i votave për kandidatët për deputetë që po zhvillohej në sallën “1 Tetori” në kryeqytet, u bllokua.
Zyrtarët e KQZ-së i thanë Kiksit se për të paktën katër orë nuk ishte numëruar as edhe një kuti votimi.
E një votë u bë mollë sherri mes zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
VV-ja kërkoi ta shpallë të pavlefshme votën, pasi sipas tyre shenja e vendosur në katrorin e partisë së LDK-së, kishte dalë jashtë vijave.
Përplasja verbale sa nuk shkoi edhe në rrahje.
Intervenimi i policisë ishte i shpejtë.
Numërimi i votave për kandidatët do të vazhdojë gjatë ditëve në vijim, pasi nga KQZ-ja nuk është dhënë ndonjë afat se kur mund të përfundojë ky proces.