Një tjetër peng amerikan do të lirohet të mërkurën, njoftoi i dërguari special për pengjet Adam Boehler për CNN gjatë mbrëmjes.
Përse Putin-i e la të lirë Marc Fogel, mësuesin amerikan të burgosur për tre vjet në Rusi?
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-ve, Mike Walz e quajti atë një “shkëmbim” të negociuar nga i dërguari i Trump në Lindjen e Mesme, Steve Witkoff dhe “këshilltarët e presidentit”, duke shtuar se kjo tregon se “ne po lëvizim në drejtimin e duhur për t’i dhënë fund luftës brutale dhe të tmerrshme në Ukrainë”.
“Nuk do të shihni një shkëmbim të drejtpërdrejtë tani, unë mendoj se do të shihni presidentin të marrë parasysh nëse ka njerëz jo të dhunshëm që nuk po shkaktojnë probleme në një mënyrë ose në tjetrën, por jo një dhënie e marrje të menjëhershme”, tha i dërguari special për pengjet Adam Boehler për CNN.
Kur u pyet se çfarë mori Rusia në këmbim, presidenti Trump u përgjigj “jo ndonjë gjë të madhe”, duke shtuar se ishte një gjest pozitiv nga ana e Putin-it.
Një gjest që mund të jetë pjesë e një shkëmbimi më të gjerë, i cili përfshin negociata për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por edhe për armët bërthamore dhe një marrëveshje të mundshme për eliminimin e sanksioneve kundër Rusisë.
“Shpresoj të jetë fillimi i një marrëdhënieje me të cilën mund t’i japim fund luftës dhe vdekjes së miliona njerëzve”, tha Trump teksa priti Fogel, me flamurin amerikan në qafë, në orën 22:00 në Shtëpinë e Bardhë. “Mendoj se po bëjmë përparim të mirë”.
Fakti që ishte Witkoff, i dërguari i posaçëm për Lindjen e Mesme, ai që mori Fogel-in në Moskë – hera e parë që një zyrtar i nivelit të lartë amerikan ka vizituar Rusinë që nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt 2022 – tregon se ka pasur ndërmjetësim nga vendet e Gjirit.
Witkoff kishte zhvilluar diskutime me njerëz të afërt me Putin-in përpara se të nisej për në Moskë, thanë burimet për New York Times.
Dhe ai foli gjithashtu për Ukrainën me Arabinë Saudite dhe Qatar-in, të cilët janë përpjekur prej disa kohësh të ndërmjetësojnë për t’i dhënë fund konfliktit.
Në ditët në vijim, në prag të përvjetorit të fillimit të luftës, do të ketë një aktivitet të madh.
Trump njoftoi në Truth Social se ai do të dërgojë Sekretarin e Thesarit Scott Bessent në Ukrainë për t’u takuar me presidentin ukrainas Zelensky dhe për të diskutuar një marrëveshje për “tokat e rralla”, ndërsa zëvendës presidenti J.D. Vance, shefi i Pentagon-it Pete Hegseth, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari për Ukrainën dhe Rusinë Keith Kellogg do të jenë në konferencën e sigurisë në Mynih ku është i pranishëm edhe Zelensky.
Kellogg do të vizitojë Kyiv-in pas konferencës së Mynihut.
Ndërkohë, në një intervistë me Fox News të transmetuar gjatë fundjavës, Trump tha për ukrainasit: “Ata mund të bëjnë një marrëveshje ose jo, mund të jenë rusë një ditë, ose jo. Por kemi gjithë këto para atje dhe unë them: i dua mbrapsht”.
Një tjetër peng amerikan do të lirohet gjithashtu të mërkurën, njoftoi i dërguari special për pengjet Adam Boehler për CNN brenda natës, duke refuzuar të japë detaje për vendin dhe identitetin e personit.
“Do të jetë një surprizë”, shtoi ai.
Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio i tha CNN se megjithëse lirimi i Fogel dhe lufta në Ukrainë nuk janë të lidhura drejtpërdrejt, ai mendon se është një shenjë e mirë që Rusia është e gatshme të bashkëpunojë.
“Rruga është e gjatë, nuk do të jetë e lehtë”, tha Rubio, duke iu referuar përfundimit të luftës. “Dhe përsëri, nuk dua të them se ajo që ndodhi këtu sonte është në ndonjë mënyrë hapi i parë drejt kësaj, por është një shenjë e mirë që rusët janë gati të bëjnë diçka dhe shpresojmë se ne mund të ndërtojmë mbi këtë në ditët në vijim”.
Marrë dhe përshtatur nga Corriere della Sera për Albanian Post