Vetëvendosje gjobitet me 6 mijë euro pasi kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës mori pjesë në fushatë

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vendosur të gjobasë Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) me 6 mijë euro pasi u zbulua se në një tubim të kësaj partie në Suharekë mori pjesë Neime Binaku Isufi, kryetare e Autoritetit të Konkurrencës.

Binaku-Isufi publikoi edhe një video në rrjetet sociale nga ky tubim, gjë që shkaktoi ankime nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

PDK-ja, e cila paraqiti ankesën në PZAP, argumentoi se LVV ka përfituar nga pjesëmarrja e një nëpunësie publike në tubimin e saj, duke shkelur kështu ligjet zgjedhore që ndalojnë përdorimin e pozitave publike për qëllime fushatore.

Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës shkel hapur ligjin, merr pjesë në fushatën e Vetëvendosjes

PZAP pranoi ankesën, duke theksuar se si provë materiale u paraqit një fotografi që vërtetonte videon e publikuar nga Binaku-Isufi.

Në vendimin e saj, PZAP vuri në dukje se kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës ka shkelur Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, duke u përfshirë në fushatë zgjedhore përkundër pozitës që zotëron.

Kjo shkelje ka çuar në gjobën e LVV-së, e cila tani ka afat 15 ditë për të paguar shumën e caktuar.

PZAP vazhdon të monitorojë fushatën për të siguruar që të gjitha partitë të respektojnë ligjet dhe parimet e zgjedhjeve të lira dhe të drejta.

Vendimin e plotë të PZAP-së mund ta lexoni në këtë vegëz.

Udhëheqësit e dy institucioneve ta pavarura kundërligjshëm marrin pjesë në fushatë të VV-së, pushteti hesht