Fitorja historike e Trumpit, Harris e telefonon për ta uruar presidentin e 47’të të ShBA’së

Nënpresidentja Kamala Harris e ka telefonuar Donald Trump për ta uruar për fitoren në zgjedhje. Trump e mposhti Harris duke fituar mbi 292 vota elektorale.

Siç raporton Asociated Press, një këshilltar i lartë i Harris ka folur në kushte anonimiteti për thirrjen, duke thënë se Harris diskutoi rëndësinë e një transferimi paqësor të pushtetit me Trump përpara fjalimit të saj të planifikuar të mërkurën pasdite, shkruan Reporteri.net.

Ndryshe, Donald Trump është shpallur presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.

Në moshën 78 vjeçare, Trump është presidenti më i moshuar që i ka fituar zgjedhjet presidenciale në SHBA, duke ia kaluar Presidentit aktual Joe Biden, i cili ishte 77 vjeç kur e mposhti atë katër vjet më parë.

Kur të bëjë betimin më 20 janar, Trump do të bëhet presidenti i parë amerikan që ka shërbyer si i 45-ti dhe i 47-ti president i Shteteve të Bashkuara.

Përgjatë fushatës zgjedhore, Trump ka çuar përpara gjithçka që lidhet me ekonominë.

Është zotuar për të luftuar inflacionin, dhe për ta bërë “Amerikën të përballueshme sërish”.

Tjetër pikë e nxehtë është imigrimi.

Trump është zotuar për ndërtim të plotë të murit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, të cilin e kishte premtuar edhe në mandatin e parë.