Ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, ka kritikuar rezultatin e kësaj partie në zgjedhjet e 7 qershorit, duke thënë se humbja nuk mund të paraqitet si sukses përmes interpretimeve.
Në një postim në rrjetet sociale, Veliu ka deklaruar se qytetarët kanë dhënë një mesazh të qartë, ndërsa LDK-ja, sipas tij, ka mbetur në vendin e tretë.
“Rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit, përfundimisht, nuk mund të maskohet me interpretime kreative apo të paraqitet si sukses. Qytetarët folën qartë, ndërsa LDK-ja mbeti e betonuar në vendin e tretë, larg pritjeve që vetë lidershipi krijoi gjatë fushatës zgjedhore dhe para saj”, ka shkruar Veliu.
Ai ka bërë përgjegjës për rezultatin kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe ish-presidenten Vjosa Osmani, duke i cilësuar si figurat kryesore të këtij projekti politik.
“Për dështimin e radhës, përgjegjësia politike bie para së gjithash mbi Lumir Abdixhikun dhe Vjosa Osmanin, të cilët ishin arkitektët kryesorë të këtij projekti politik, i nisur në fillim me hile”, ka deklaruar Veliu.
Sipas tij, drejtuesit e partisë duhet të marrin përgjegjësi edhe për dështimet, njësoj siç kërkojnë meritat për sukseset.
“Prandaj, kur kërkohen meritat për çdo sukses, duhet të merret edhe përgjegjësia për dështimet”, ka shkruar ai.
Veliu ka thënë se brenda LDK-së janë shpërfillur paralajmërimet për mënyrën e funksionimit të partisë, duke përmendur centralizimin, largimin nga baza elektorale dhe përzgjedhjen e kandidatëve.
“U shpërfillën paralajmërimet e veprimtarëve, aktivistëve dhe figurave të shumta të LDK-së për centralizimin e partisë, margjinalizimin e mendimit ndryshe, largimin nga baza elektorale dhe së fundmi përzgjedhjen e kandidatëve sipas shijes dhe interesave personale e grupore. Rezultati zgjedhor dëshmoi se ato shqetësime nuk ishin të pabaza”, ka shkruar Veliu.
Ai ka kërkuar nisjen e një procesi të ri zgjedhor brenda LDK-së, duke bërë thirrje për ndryshime në udhëheqjen e partisë.
“LDK-ja ka nevojë për më shumë se reflektim formal. Ka nevojë për përgjegjësi konkrete. Prandaj, është momenti i fundit të niset një proces zgjedhor i rregullt dhe transparent, duke hapur rrugë për figura politike që janë të dëshmuara, që gëzojnë mbështetje të gjerë dhe që interesin e partisë e vendosin mbi interesat personale apo grupore”, ka deklaruar ai.
Veliu ka thënë se rikthimi i besimit të qytetarëve kërkon ndryshim në krye të partisë.
“Nëse LDK-ja dëshiron të rikthejë besimin e humbur, ndryshimi duhet të fillojë nga maja e saj. Sepse partitë nuk dobësohen nga humbjet zgjedhore, por nga refuzimi për të nxjerrë mësime prej tyre. LDK duhet t’i kthehet LDK-së dhe LDK-istëve të saj”, ka shkruar Veliu.








