Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Doyle: Prokuroria përfundon me dëshmitarët në prill të 2025

Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, ka folur në lidhje me gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Në një intervistë për Ekonomia Online, Doyle ka treguar se prokuroria pritet t’i thërrasë të gjithë dëshmitarët e saj kundër Thaçit dhe të tjerëve deri në prill të vitit 2025.

Sipas Doyle, procesi i gjykimit ndaj Thaçit e të tjerëve është në mes. Tutje, ai ka treguar numrin e dëshmitarëve të paraqitur deri më tani, duke shtuar se pas prokurorisë, pritet që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të nis me thirrjet për dëshmitarët e saj.

“Në rastin kundrejt Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Prokuroria është duke paraqitur rast e duke thirrur dëshmitarët e saj. Prokuroria ka thënë se synojnë t’i thërrasin dëshmitarët e tyre deri në prill të vitit 2025. Pra, ne jemi në mes të këtij procesi. 85 dëshmitarë kanë dëshmuar, ose në sallën e gjyqit ose përmes një video-lidhjeje , dhe 69 të tjerë kanë dëshmuar vetëm në një me formë shkrimi. Kështu që, pasi Prokuroria të përfundojë paraqitjen e rastit të saj, Mbrojtja do ta këtë mundësinë për të kundërshtuar rastin. Presim që dikur vitin e ardhshëm, mbrojtja të fillojë t’i thërrasë dëshmitarët e saj” – tha Doyle.

Në këtë intervistë, Doyle tha se trupi gjykues është duke synuar që procedurat gjyqësore të jenë të drejta dhe të shpejta.

“Një prej punëve kryesore të trupit gjykues është që procedurat janë të drejta dhe të shpejta. Kjo përfshin edhe dhënien e afateve kohore, për të cilat Prokuroria ka thënë se ju nevojitet kohë deri në prill të vitit 2025. Gjyqtarët po mundohem që gjykimi të përshpejtohet dhe duke i kërkuar Prokurorisë që ta shpejtojnë rastin sa më shumë që është e mundur, prandaj ka edhe zvogëlim të numrit të dëshmitarëve” – ka thënë zëdhënësi Doyle.