Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka folur për deklaratën e emisarit evropian, Miroslav Lajçak, i cili tha sot se Serbia ka tërhequr letrën dërguar bllokut vitin e kaluar, ku shprehte rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.
Kryediplomatja kosovare tha se nuk ka asnjë informacion për tërheqjen e këtij dokumenti. Ajo shtoi se Lajçak mund ta ketë pasur fjalën për tërheqje të pjesshme të asaj letre të ish-kryeministres Bërnabiq, e cila megjithatë Gërvalla tha se nuk tërhiqet nga mosnjohja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Kjo, kryediplomatja kosovare tha se është e papranueshme dhe me këtë qasje të Serbisë është vështirë të ketë vazhdim të dialogut në Bruksel.
“Unë nuk kam asnjë lloj informacioni për ndonjë hap tjetër të Serbisë lidhur me tërheqje të çfarëdo dokumenti. Besoj se Lajçak fjalën e ka për një tërheqje të pjesshme të asaj letre të ish-kryeministres Bërnabiq, e cila megjithatë nuk tërhiqet nga mosnjohja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, gjë që është një qasje tërësisht e papranueshme për ne.
Përshtypja që të krijohet në këtë proces të ashtuquajtur të normalizimit të BE-së në raport me Kosovën dhe Serbinë, është që sa më shumë që normalizohet pozita e serbëve të Kosovës, sa më tepër që ata të çliruar nga ndikimi i bandave kriminale në veri, tentojnë ti kthehen jetës normale dhe të bëhen pjesë e shoqërisë dhe institucioneve, aq më shumë largohet Serbia nga normalizimi i ashtuquajtur. Ne kemi nevojë për një rishikim të procesit në tërësi, kemi nevojë që Komisioni i ri, persona te rinj që marrin detyrat e reja në Bruksel të kenë një strategji të qartë se ku të çon procesi i normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë dhe si do të duket ky proces. Siç e kemi parë deri më tani, Serbia është shumë larg implementimit të marrëveshjes. Me këtë qasje dhe njëkohësisht me bllokimin e kufijve të Kosovës dhe një gjuhë që nxit vetëm konflikte dhe urrejtje është shumë vështirë që vazhdimi i procesit në Bruksel”, ka thënë Gërvalla në një konferencë për media të premten.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se Serbia ka tërhequr letrën dërguar bllokut vitin e kaluar, ku shprehte rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.
Lajçak këtë e ka bërë të ditur në një adresim para mediave pas takimit që kishte në Kosovë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Letra është tërhequr. Ka deklarata këndej e andej se që nuk ndihmojnë, por marrëveshja është e ligjshme në tërësi dhe ajo është bërë pjesë e rrugës evropiane të Kosovës dhe Serbisë kështu që është e detyrueshme dyfish”, tha Lajçak.
Në takimin e fundit të nivelit të lartë që u mbajt më 26 qershor në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pati refuzuar ta takojë presidentin serb, Vuçiq. Ai paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.
Ndër të tjera kusht ishte edhe tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023.
Kurti tha se pa dorëzimin e Milan Radoçiqit dhe grupit paramilitar serb që kryen sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator të vitit të kaluar, nuk mund të ketë mirëbesim në dialogun me Serbinë.
Shefi i ekzekutivit kosovar, nuk pranoi të takohej me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq pa u bërë formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve; tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023, dhe dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës./Reporteri.net/