Lajçak: Ura e Ibrit duhet të hapet vetëm në koordinim me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës

Emisari evropian, Miroslav Lajçak pas takimit që kishte në kryeministri me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi ka thënë se Ura e Ibrit duhet të hapet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Diskutuam edhe për urën e Ibrit, qëndrimi i BE-së është i njohur dhe do ta përsërisim se ura duhet të hapet, por duhet të hapet në koordinim me me partnerët e ngushtë të Kosovës”, tha Lajçak para mediave.

Emisari sllovak, ka theksuar se Marrëveshja e Ohrit është pjesë e rrugës evropiane të të dyja shteteve dhe si e tillë duhet të zbatohet.

Lajçak është pyetur edhe rreth protestës së serbëve që kanë paralajmëruar se do ta nisin sot në pikat kufitare me Kosovën, në pjesën serbe.

“Shpresoj të mos ketë bllokim, sepse ka impakt negativ në lirinë e lëvizjes dhe jetën e njerëzve”, tha ai.

Qeveria e Kosovës në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Megjithatë, vendet e QUINT-it deklaruan se nuk e mbështesin hapjen për trafik të Urës në këtë moment.

Kryeministri Kurti pati deklaruar se Kosova është e vonuar për shumë vite lidhur me këtë çështje, pasi është arritur marrëveshja në Bruksel dhe se nuk ka pse të diskutohet më tepër.

Në deklaratat e tij, Kurti gjithmonë ka deklaruar se ura s’është kundër askujt, por vetëm për të gjithë qytetarët.

Bashkimi Evropian, ndërkohë, ka thënë se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë. Kjo është kundërshtuar nga Qeveria e Kosovës.

Kryeministri Kurti ditë më parë ka thënë se për çështjen e urës është arritur marrëveshja në Bruksel dhe se nuk ka pse të diskutohet më tepër.

“Ura mbi lumin Ibër është dashur të hapet kur është çliruar Kosova para 25 vjetëve. Nuk është dashur të jetë e mbyllur kur është pavarësuar Kosova 16 vjet më parë. Është dashur të jetë e hapur edhe para 8 vjetëve në bazë të marrëveshjes së Brukselit e planit të zbatimit. Jemi trefishë të vonuar për shumë vjet. Ajo çfarë duam të bëjmë është veçse lëvizje e lirë për të gjithë qytetarët, mallrat e kapitalin në të dy anët e lumit Ibër”, ka thënë Kurti.