Arratiset njëri nga të dënuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Marko Roshiq, njëri nga të dënuarit për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq është arratisur.

Rastin e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili tha se rasti ka ndodhur një ditë pasi ishte shpallur vendimi.

“Ditën kur është marrë vendimi ka qenë diku rreth orës 11:00. Neve na kanë sjellur vendimin për ekzekutimin e dënimit. Po atë ditë [ditën kur është marrë vendimi nga gjykata], ne kemi shkuar për ta arrestuar por ai s’ka qenë në shtëpi dhe ne besojmë se ai nuk është në Kosovë”, tha Elshani për Reporteri.net.

Dy javë më parë, të premten e 28 qershorit Gjykata Themelore kishte shpallur aktgjykimin në rastin e vrasjes së politikanit opozitar serb, Oliver Ivanoviq, kundër pesë personave që Prokuroria Speciale e Kosovës i akuzon për ndihmë dhe organizim të atentatit.

Marko Roshiq për veprën penale pjesëmarrje ose organizimi i grupit penal të organizuar dhe vrasje e rëndë i është shqiptuar dënim me burgim prej 10 vjetësh, ku llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak. Gjykata këtij të akuzuari i shqiptoi edhe dënim me gjobë në shumë prej 10 mijë euro.

Ivanoviq është vrarë më 16 janar të vitit 2018, para objektit të partisë së tij në Mitrovicë të Veriut.

Shpallja e aktgjykimit për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit do të bëhet u bë pas një procesi katërvjeçar gjyqësor.

Në vitin 2020, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzën e tretë të plotësuar, pasi e para është ngritur në nëntor të vitit 2019, ndërsa në dhjetor të po atij viti është ngritur edhe aktakuza e dytë e ndryshuar.