Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili sot ka shkruar për subvencionimin e faturave të rrymës për 61 mijë familje.
Ajo ka bërë me dje se për këtë duhet të falënderohet BE-ja, meqenëse ky ka qenë një projekt që është financuar nga Bashkimi Evropian.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se ministri Murati rritjen e varfërisë po mundohet ta shes si sukses të qeverisë.
“Propaganda e ministrit që rritjen e varfërisë mundohet ta shesë si sukses. 61 mijë familje në vendin tonë u subvencionuan për faturat e energjisë elektrike në gjashtë muajt e fundit. Financim ky komplet nga BE për familjet pa të ardhura ose me të ardhura të ulëta. Pra Bashkimi Evropian është institucioni që duhet të falënderohet për këtë ndihmë e Qeveria Kurti me minister Muratin duhet të mbahet përgjegjëse që përkundër faktit që erdhën në pushtet duke premtuar lirim të çmimit të energjisë elektrike e rritën atë deri në papërballushmëri për 61 mijë familje në Kosovë”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka bërë me dije se këto familje jetojnë në varfëri ekstreme për shkak të Qeverisë Kurti.
“Falë politikave dhe mospunës së kësaj Qeverie sot 61 familje apo rreth 250 mijë banorë jetojnë në varfëri ekstreme dhe ministri i financave mundohet që këtë ta shes si lavd. Propaganda nuk kalon!”, ka shkruar Bajrami.