Kryeministri Albin Kurti dhe Kryeministri Edi Rama duket se vazhdojnë t’i kenë raportet “kurrëfare”. Edhe pse sot ka ardhur në Prishtinë, Rama nuk do të ketë takim me homologun e tij Kryeministrin Albin Kurti.
Agjenda e publikuar nga Zyra e Kryeministrit Kurti e publikuar në orët e mëngjesit nuk e ka pasur takimin me Ramën në listën e aktiviteve ditore të Kurtit.
Mediumi A2CNN ka publikuar një “reagim” të zëdhënësit të Qeverisë Përparim Kryeziut i cili ka komentuar për takimet e deritashme të Ramës, atë me Osmanin dhe paraqitjen e Kryeministrit shqiptar në Konferencën e LDK’së për Rugovën dhe Perëndimin.
Në komentin e Kryeziut nuk ka munguar ironia.
Në bazë agjendës së deritanishme, duket që në Prishtinë, Kryeministri i Shqipërisë, Rama, po i takon ata me të cilët konsideron që ka nevojë t’i rregullojë raportet”, thuhet në reagim.
Sipas Kryeziut, Kurti e ka ftuar Ramën në një takim tjetër, më 12 qershor. Sipas tyre, Zyra e Ramës ka thënë se ai nuk mund të jetë i pranishëm në 12 qershor.
“Në anën tjetër, Kryeministri Kurti, Zyra e tij, e ka ftuar Kryeministrin Rama në aktivitetet që shënojnë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës më 12 qershor. Kryeministri Rama, përkatësisht Zyra e tij, na ka njoftuar që nuk do të mund të jetë i pranishëm me 12 qershor. Ai është i mirëseardhur që t’i bashkëngjitet aktiviteteve të agjendës shtetërore. Urojmë që vjen në Manifestimin e 146-të vjetorit të Lidhjes së Prizren, sepse Lidhja e Prizrenit nuk është vetëm e Kosovës”, thuhet në reagimin e zëdhënësit të qeverisë së Kurtit.