Aksioni në veri, Haxhiu: Assesi s’do të tolerohen veprimet ilegale, partnerët tanë të na mbështesin

Lidhur me aksionin e dy ditëve më parë të policisë në veri të Kosovës, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se qeveria mbështetit secilin aksion të ligjshëm ,derisa ka kërkuar që edhe në ndërkombëtarët ta bëjnë një gjë të tillë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Pas përfundimit të akademisë përkujtimore në 25-vjetorin e masakrës së Burgut të Dubravës, para gazetarëve, ministrja Haxhiu tha se në vazhdimësi kanë komunikime me partnerët e Kosovës, por që veprimet ilegale assesi nuk do të tolerohen.

“Me thënë të drejtën në kemi përcjellë natyrisht me vëmendje të gjitha zhvillimet të cilat kanë ndodhur si përpjekje për të shtrirë sovranitetin dhe integritetin territorial në veriun e vendit. Ka pasur edhe dje një veprim institucional nga ana e institucioneve përgjegjëse me qëllim të zbatimit të ligjit dhe zbatimit të rregullores nga ana e BQK-së”.

“Ne si Qeveri mbështesim secilin aksion i cili është i ligjshëm siç ishte edhe aksioni i djeshëm, prandaj edhe besoj që edhe miqtë e partnerët tanë, aksionet të cilat janë në përputhje me legjislacionin në fuqi që kanë për qëllim shtrirjen e rendit ligjit më çdo pjesë të territorit të Kosovës, duhet që t’i mbështesin dhe të na ndihmojnë në këtë përpjekje. Sigurisht që ne në vazhdimësi kemi komunikime me partnerët tanë dhe sigurisht që ne si Qeveri e Kosovës do të angazhohemi që përditë në veriun e vendit tonë të këtë rend e rregull, të këtë veprim të ligjit të institucioneve dhe jo veprime ilegale sepse ju e keni parë që ato assesi nuk do të tolerohen”, tha Haxhiu.

Nga aksioni në veri, ku u bë mbyllja e gjashtë njësive të “Bankës Postare Kursimore”, Policia e Kosovës konfiskoi rreth 1.6 milionë euro, rreth 74 milionë denar, rreth 19 mijë franga, rreth 13.800 dollar amerikan, rreth 40 dollar australian, e poashtu edhe dokumente që lidhen me rastin.

Por, aksioni i policisë nuk u prit mirë nga faktori ndërkombëtar.

Departamenti Amerikan i Shtetit kritkoi Kosovën për mbylljen e gjashtë degëve të kësaj banke serbe. Sipas tyre, ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë” dhe se i “përshkallëzon tensionet”.

Nga BE-ja thanë se mbyllja dhe konfiskimi pa paralajmërim, është përshkallëzues dhe bie ndesh me frymën e normalizimit të marrëdhënieve.

Ata kritikuan institucionet kosovare për veprime të njëanshme dhe mosbashkëpunim me aleatët e saj.

“Mbyllja dhe konfiskimi i këtyre zyrave pa paralajmërim apo koordinim paraprak dhe vetëm pak ditë pas takimit të fundit të dialogut, ku u trajtua edhe çështja e ambienteve të Bankës së Kursimeve Postare, është përshkallëzuese dhe bie ndesh me frymën e normalizimit dhe cenon mirëbesimin e Kosovës në në arritjen e normalizimit të marrëdhënieve përmes dialogut”, u tha në deklaratën e lëshuar nga Bashkimi Evropian./Reporteri.net/