Adil Behramaj, këshilltar i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas publikimit të rezulateve të një ankete të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), për vlerësimin popullor për krerët e institucioneve.
Behramaj ka thënë se anketa u bë nga një kompani, sipas tij, e afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, “UBO Consulting”.
Behramaj ka thënë se nuk ka më qesharake se të konstatohet që qytetarët janë të kënaqur deri në 72.4% me punën e Kryetares së Kuvendit, e cila, sipas tij, asnjë punë nuk e ka bërë.
Sipas Behramajt, në total ajo vetëm 2-3 seanca i ka udhëhequr.
Ai ka ironizuar me pronarët e kësaj kompanie, duke thënë se qytetarët mbase janë kënaqur shumë me Vjosa Osmanin, pasi që ajo e ka mbiemrin e njëjtë me pronarët e “UBO Consulting”.
“Anketën e raportit “Pulsi Publik” të UNDP-së e paska bërë “UBO Consulting”, e cila prej kur e mbaj mend si emër e favorizon Albin Kurtin. Për shkak të pandemisë anketimi qenka realizuar përmes intervistave telefonike me gjithsej 1306 qytetarë, kurse përzgjedhja e mostrës qenka bërë përmes metodës Random Digit Dialing, që kinse realizohet përmes thirrjeve të rastësishme. Fillimisht, për ta thjeshtuar kuptimin e mostrës, ajo është sikur ju ta lexoni tani një faqe libri dhe mbi bazën e asaj faqeje si mostër ta nënkuptoni përmbajtjen e tërë librit. Janë shumë kuota që një anketim e bëjnë të besueshëm dhe jo si ky që e paska bërë “UBO Consulting”, me adresar dhe numërator të marrë sigurisht nga selia e Lëvizjes Vetëvendosje!
Mostrimi duhet të jetë përfaqësues dhe të shpërndahet edhe nëpër komuna, etni, gjini, moshë, vendbanime urbane dhe rurale, sepse nëse kufizohemi p.sh. vetëm në populacionin e Prishtinës, Deçanit apo Drenicës, qysh tani mund t’i dimë përafërsisht rezultatet! Por, nuk ka më qesharake se të konstatohet që qytetarët janë të kënaqur deri në 72.4% me punën e Kryetares së Kuvendit, e cila asnjë punë nuk e ka bërë. Në total 2-3 seanca i ka udhëhequr. Atë të votimit të Qeverisë dhe tjetrën të votimit të Mocionit të Mosbesimit kundër Qeverisë. Këtë të fundit me çdo kusht ishte munduar të mos e mbante!
Qytetarët mbase janë kënaqur shumë me Vjosa Osmanin, pasi që ajo e ka mbiemrin e njëjtë me pronarët e “UBO Consulting”. Falsifikimi i realitetit sa për t’iu krijuar imazhe fitimtarësh klientëve politikë, që qytetarët të mos arrijnë ta ndajnë as të vërtetën nga falsja, këtë shoqëri e ka bërë shumë indiferente. Dukja në politikë, në të cilën investon shumë Kurti, duke blerë edhe “wiews” nga India dhe Kina sa për t’u dukur sikur është rritur, është shumë e parëndësishme në krahasim me substancën. Po ashtu, po kjo kompani e kishte bërë edhe “anketën” e parafundit, sipas së cilës Lëvizja Vetëvendosje gjoja ishte rritur në mbi 50%. Pra, vetëm dukja ju intereson këtyre! Prandaj, UNDP nuk duhet ta rrezikojë imazhin e saj me angazhimin e kompanive që janë pararojë e politikës, të cilat prej ekzistencës së tyre e favorizojnë Vetëvendosjen. Ne kemi nevojë për substancë dhe jo për “sallata” politike!”, ka shkruar Behramaj.