27 vite më parë, më 12 qershor 1999, Kosova hyri në një kapitull të ri historik me hyrjen e forcave të NATO-s dhe largimin e forcave serbo-jugosllave, duke shënuar fundin e një periudhe të rëndë të dhunës, represionit dhe spastrimit etnik ndaj popullsisë civile shqiptare.
Me rastin e përvjetorit të kësaj dite historike, Ambasada e Kosovës në Gjermani ka publikuar fotografi nga momentet e para të lirisë, duke rikthyer kujtimet e ditës kur Kosova nisi rrugëtimin e saj drejt paqes, demokracisë dhe ndërtimit të institucioneve shtetërore.
“Pamjet në këto fotografi sjellin kujtimet e ditës kur Kosova nisi epokën e lirisë, 27 vite më parë. Më 12 qershor 1999, me hyrjen e trupave të NATO-s, përfshirë Bundeswehr-in gjerman, dhe tërheqjen e forcave serbo-jugosllave, mori fund një periudhë e rëndë e dhunës, represionit dhe spastrimit etnik ndaj popullsisë civile të Kosovës, për të nisur kështu rrugëtimin drejt paqes, demokracisë dhe ndërtimit të një të ardhmeje më të sigurt”, thuhet në postimin e ambasadës.
Më tej, përfaqësia diplomatike e Kosovës ka shprehur respekt dhe mirënjohje për sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë e vendit.
“Në këtë ditë të veçantë, me respekt dhe mirënjohje të thellë kujtojmë lavdinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rolin vendimtar të aleatëve për lirinë, paqen dhe sigurinë e Kosovës. Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe të rënëve për liri! Mirënjohje e përhershme për miqtë dhe aleatët tanë”, theksohet në postim.








