22 vjet nga rënia e dëshmorit, Mehdi Haziri

Sot u mbushën 22 vjet nga rënia heroike e dëshmorit Mehdi Sylë Haziri nga Druari i Vushtrrisë, shkruan Fokusi.info.

Familja e Mehdiut ka një histori sa të dhimbshme, aq edhe krenare kombëtare. Në Luftën e Dytë Parë Botërore, më 1945, në luftë kundër pushtuesit jugosllav, që kishte mësyrë ta shtrojë Kosovën, së pari Gjilanin, Artakollin e Drenicën, bie dëshmor gjyshi i Mehdiut, Sejdiu, i ekzekutuar nga çetnikët serbë.

Si qindra e qindra të rinj e të reja, ndër ta edhe Mehdiu u inkuadrua në manifestimet antijugosllave të mbajtura në Prishtinë, Vushtrri e Mitrovicë, qoftë në sheshe publike, qoftë në konsultime grupore, në kuadër të organizatave të fshehta atdhetare në drejtim të sensibilizimit të faktorit ndërkombëtar, por edhe rreth përgatitjeve për luftë të armatosur për pavarësi, për të cilën edhe u flijua e ra dëshmor për lirinë që sot po e gëzojmë.

Një kohë ishte i mërguar në Gjermani, për ta përmirësuar materialisht jetën familjare. Atje ra në kontakt me veprimtarë e grupe të ndryshme që përgatisnin bashkimin e idealeve dhe forcave, për luftë për liri, si dhe kthimin në atdhe dhe fillimin e luftës së armatosur, prej ku edhe vetë mori inspirime t’i bashkohej kësaj veprimtarie pa hamendje, duke u nisur drejt flakës së luftës, pa i llogaritur rreziqet.

Me qëllim përgatitor, së pari arriti në Shqipëri. Pas ushtrimeve ushtarake atje, veshi uniformën e re ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i pajisur me një kallash, një zollë të tipit kroat, si dhe disa granata dore, më 1 qershor 1998 arrin në Kosovë. U radhit në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në pikën e luftës në fshatin Zhilivodë të Vushtrrisë e në Sibovc, ku arriti të tregojë zell, vullnet, guxim, përkushtim e gatishmëri për të gjitha detyrat që i ngarkoheshin, si ushtar fronti, pjesëtar i njësitit të Druarit, në kuadër të Batalionit të Parë të Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës.

Më 27 janar të vitit 1999, pasi shkoi për ta vizituar familjen e vendosur në Vushtrri, në lagjen te varrezat e qytetit, e cila ishte vënë në rrethim të hekurt nga forcat policore-ushtarake e paramilitare serbe, dhe ku përditë bëheshin masakra, Mehdiu në të dalë nga lagjja ku ishte vendosur përkohësisht familja e tij, kur po i kalonte në periferi të qytetit në hyrje të Novolanit, ra në pritën e kobshme. Armiqtë kishin për qëllim ta zinin të gjallë.

Ajo betejë, e pabarabartë, e zhvilluar në fshatin Novolan, midis një dragoi sypatrembur dhe shumë çakejve karpatianë, ngeli sinonim i qëndresës dhe heroizmit të luftëtarëve tanë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për liri dhe pavarësi.Pas një beteje të rrufeshme ballëpërballë, ra në altarin e lirisë, por jo në duart e armikut. Pas dy ditësh, Mehdiu u varros me nderime të mëdha në fshatin Druar.

Më 1 shtator 1999, u rivarros në varrezat e dëshmorëve në Stanoc të Vushtrrisë./Fokusi.info/