Shqiptarët vazhdojnë të korrin suksese në Zvicër në fusha të ndryshme. E tillë është edhe 18-vjeçarja me prejardhje nga Kosova, Delina Maliqi.
Ajo është zgjedhur në mesin e katër nxënësve për të përfaqësuar Zvicrën në Olimpiadën e Ekonomisë prej 23 korrikut deri më 1 gusht në St. Petersburg të Rusisë. Ajo, në një intervistë për albinfo.ch, flet për prejardhjen e saj, suksesin dhe synimet.
“Jam e lindur në Zvicër, ndërsa prindërit e mi janë nga Kosova, babai është nga Gjilani dhe nëna nga Prizreni. Në moshën e tij 26-vjeçare babai im kishte vendosur që për shkak të ashpërsimit të situatës politike në Kosovë, të emigronte në Zvicër. Ajo që ishte planifikuar si qëndrim një deri dy-vjeçar, u shndërrua në vendbanimin e tij të ri. Që atëherë ne jetojmë në Cyrih, por e vizitojmë Kosovën për çdo vit”, është shprehur në fillim 18-vjeçarja për albinfo.ch.

Ajo mendon të vazhdojë studimet në Zvicër. “Unë kam një vëlla dhe një motër. Ne jemi trenjakë dhe aktualisht jemi duke ndjekur që të tre gjimnazin e Shkollës Kantonale Zürich Nord. Këtë vit unë dhe motra përfundojmë gjimnazin dhe planifikojmë që në shtator të fillojmë studimet në Universitetin e Cyrihut”, thotë tutje Delina për albinfo.ch.
Ajo është shumë e lumtur që është zgjedhur për të përfaqësuar Zvicrën. “Gjatë pushimeve verore unë do të fluturoj drejt Rusisë, Petersburgut, për të përfaqësuar atje Zvicrën në Olimpiadën Ekonomike. Nga e gjithë Zvicra janë zgjedhur katër nxënëse dhe nxënës. Unë bëj pjesë në mesin e këtyre të zgjedhurve fatlumë. Kriter për këtë zgjedhje ka qenë një vlerësim me një rast studimi të cilin duhej ta zgjidhte në mënyrë indiviuduale dhe ta prazantonte secili”.

18-vjeçarja me prejardhje nga Kosova është shumë e dalluar në këtë fushë. “Në gjimnaz, fokusi im është në gjuhët, por interesimi im për ekonominë ka qenë gjithmonë i madh. Unë, veç kësaj, përpiqem t’i zgjeroj kufijtë e mi dhe ta braktis zonën time të rehatisë. Për këtë arsye edhe jam bërë pjesë e garës, që të mund të përfitoj një përvojë të re dhe para së gjithash një përvojë edukative.
Për këtë arsye është një sukses kaq i madh të jem në mesin e katërve që prezantojnë Zvicrën në Olimpiadën Ekonoimike dhe shpresoj, natyrisht që ne të kemi sukses në Petersburg. Për mua ky sukses është po ashtu edhe një lloj falënderimi për prundërit e mi; për gjithçka që ata kanë sakrifikuar për ne, në mënyrë që të na e sigurojnë një ardhmëri të përmbushur”, përfundoi Delina Maliqi.










