116 vota dallim: Dy kandidatë në garë të ngushtë për mandatin e fundit në PDK

Ish-komandanti i UÇK-së, kandidati për deputet Rrustem Mustafa ndodhet 116 vota përpara kundër-kandidatit Bekim Haxhiu.

Mustafa, aktualisht ndodhet në zonën e mandateve të projektuara të Partisë Demokratike të Kosovës në legjislaturën e ardhshme.

Ai mban vendin e 20-të në renditje. Ky pozicion është i fundit i garantuar për deputetët burra në listën e PDK-së. Dy ulëset e fundit i përkasin deputeteve gra në bazë të kuotës gjinore, e cila përcakton që 30% të deputetëve të zgjedhur u takojnë grave.

Pas numërimit të rreth 96 për qind të votave në total, kur kanë mbetur edhe rreth 20 mijë vota për t’u numëruar, Mustafa ka siguruar 20,357 vota.

Prapa tij pozicionohet aktualisht Bekim Haxhiu me 20,241 vota. Diferenca mes tyre është vetëm 116 vota, e cila mund të shkrihet në praktikë nëse Haxhiu performon më mirë në votat me kusht dhe një pjesë të votave me postë që pritet të numërohen sot gjatë ditës.

Edhe numërimi i votave me kusht ka filluar sot.

PDK-ja, bazuar në numërimin e deritashëm të votave të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, projektohet të ketë 22 ulëse në Kuvendin e ri. Vetëvendosje pritet të sigurojë 53 mandate, LDK 18, ndërsa AAK 7. /Paparaci.com