Zyrtarja e KE-së thotë se kriza në Gazë “ngjan shumë” me gjenocid

Një zyrtare e lartë e Komisionit Evropian tha se zhvendosjet dhe vrasjet në Gazë ngjajnë shumë me gjenocidin.

 

Kjo është hera e parë që një zyrtare e lartë e KE-së bën një akuzë të tillë, që është në kundërshtim me qëndrimin zyrtar të bllokut, i cili e ka akuzuar Izraelin për shkelje të të drejtave të njeriut në Gazë.

“Nëse nuk është gjenocid, atëherë i ngjan shumë përkufizimit që përdoret për ta shpjeguar atë”, tha Teresa Ribera – zyrtarja e dytë më e lartë në KE – në një intervistë për Politico, të publikuar më 7 gusht.

Izraeli vazhdimisht ka mohuar akuzat se kryen gjenocid gjatë luftës në Gazë kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Ribera është zëvendëspresidente ekzekutive e KE-së, e dyta për nga hierarkia pas presidentes Ursula von der Leyen. Socialistja spanjolle, portfolio e së cilës përfshin çështjet e klimës dhe antitrust, nuk është përgjegjëse për çështjet e politikës së jashtme të BE-së.

“Ajo që po shohim është se një popullatë e caktuar po shënjestrohet, po vritet dhe po vdes nga uria”, tha Ribera për Politico.

Deklaratat e saj kanë shkuar më tej sesa ato të bëra nga KE-ja. Krahu ekzekutiv i BE-së e ka akuzuar Izraelin për shkelje të të drejtave të njeriut në Gazë, por nuk ka bërë akuza për gjenocid.

Javën e kaluar, KE-ja propozoi kufizimin e qasjes së Izraelit në programin kryesor të BE-së për financimin e kërkimeve shkencore, pas thirrjeve nga shtetet anëtare që ndaj Izraelit të rritet presioni, në mënyrë që të lehtësohet kriza humanitare në enklavën palestineze.

Në atë propozim, KE-ja tha se Izraeli ka shkelur një klauzolë për të drejtat e njeriut të një marrëveshjeje që rregullon raportet e tij me BE-në.

“Nëpërmjet ndërhyrjes së saj në Rripin e Gazës dhe katastrofës humanitare që pasoi, përfshirë mijëra vdekje të civilëve dhe rritjen e shpejtë të rasteve të kequshqyerjes ekstreme, veçanërisht te fëmijët, Izraeli po i shkel të drejtat e njeriut dhe të drejtën humanitare”, u tha në dokument.

Izraeli i ka mohuar akuzat për gjenocid. Afrika e Jugut ka ngritur një rast për këtë çështje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka cilësuar si “të turpshëm” rastin për gjenocid të ngritur pranë kësaj gjykate.

Lufta në Gazë ka nisur më 7 tetor 2023, kur radikalët e Hamasit sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Afër 50 persona besohet se ende mbahen në Gazë, ndërsa të tjerët janë liruar në marrëveshjet paraprake të armëpushimit.

Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë që nga nisja e luftës janë vrarë më shumë se 61.000 persona, ka thënë Ministria e Shëndetësisë, e cila vlerëson se shumica nga viktimat ishin gra dhe fëmijë. Megjithatë, kjo ministri në shifrat që publikon për viktimat nuk bën ndarjen mes viktimave civile dhe luftëtarëve të Hamasit.

Izraeli vazhdimisht përsërit se veprimet e tij në Gazë janë për vetëmbrojtje dhe e ka akzuar Hamasin se përdor civilët si mburoja njerëzore – akuzë që është mohuar nga grupi radikal.

 

The post Zyrtarja e KE-së thotë se kriza në Gazë “ngjan shumë” me gjenocid appeared first on Kosovapost.net.