Zyrtari i LDK-së: Përflitet se Glauk Konjufca ishte deleguar në AAK si agjent i ShIK-ut

Bajram Gecaj ka ende dilema për të kaluarën e pretenduar të Glauk Konjufcës në Shërbimin Informativ të Kosovës, temë që ishte diskutuar disa vite më parë në Kuvendin e Kosovës.

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-zëvendësministri tha sot në një shkrim në rrjetin social Facebook se historia e Konjufcës mund të mos jetë “aq e thjeshtë sa duket në sipërfaqe.”

“Sipas disa zërave që qarkullojnë në prapaskenë, historia e Glauk Konjufcës mund të mos jetë aq e thjeshtë sa duket në sipërfaqe. Përflitet se dikur ai ishte deleguar në AAK si agjent i SHIK-ut. Por pastaj lind një pyetje edhe më e çuditshme. A u dërgua edhe në LVV me të njëjtin mision?”, pyet Gecaj.

Gecaj citon zyrtarë të lartë të PDK-së, pa përmendur emra, që sipas tij, e kanë pranuar se Partia Demokratike ka ndihmuar në formimin e Vetëvendosjes.

“Kjo hamendësohet sidomos kur kujtohet se vetë disa zyrtarë të lartë të PDK-së kanë pranuar se në fillimet e saj ata e ndihmuan formimin dhe fuqizimin e LVV-së, si kundërpeshë ndaj LDK-së”, pretendon ai.

Sipas ish-këshilltarit të Isa Mustafës dhe tani pjesëtarit të kabinetit të Përparim Ramës, dyshimet për raportin e Konjufcës me PDK-së thellohen edhe “nga përshpëritjet që qarkullonin së fundmi në korridoret politike se ai mund të siguronte ndonjë votë edhe nga PDK-ja?”.

“Dhe pikërisht aty, mes këtyre thashethemeve dhe gjysmë-të-vërtetave, qëndron edhe misteri ‘Glauk Konjufca’”, përfundoi Gecaj pretendimin e tij mbi profilin e Konjufcës.