Memli Krasniqi ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.
Krasniqi këtë e bëri të ditur në një konferencë për media, pas mbledhjes që ka pasur Kryesia e PDK-së.
“Ka qenë nder të udhëheq Partinë Demokratike të Kosovës”, tha ai, duke shtuar që së bashku kanë kaluar shumë sfida.
Duke reflektuar për periudhën katërvjeçare të udhëheqjes së tij, Krasniqi vlerësoi se PDK është forcuar dhe rritur ndjeshëm në skenën politike, megjithatë theksoi se çdo organizatë e madhe politike ka nevojë për ripërtëritje.
“Një parti që beson në zhvillim, duhet të besojë edhe në ripërtëritje. Një lidership që kërkon ndryshim për Kosovën, duhet të ketë guximin të krijojë hapësirë për ndryshim brenda vetes. Prandaj, kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.”
Ai theksoi se ky vendim nuk lidhet me ndonjë zhvillim të fundit politik, por me nevojën për t’i dhënë partisë “një frymë të re dhe një mundësi të re për të ardhmen”.
“Ky vendim nuk është i momentit e as i zhvillimeve të fundit. Është reflektim mbi atë se çka i duhet PDK-së në fazën e ardhshme. Nuk është vendim prej lodhjes apo zhgënjimit – por prej dashurisë për partinë time. E bëj këtë me paqe në shpirt dhe me dashuri në zemër. Dashuri për PDK-në. Dashuri për Kosovën.”










