Komuna e Prishtinës ka shpallur një tender për menaxhimin e mbeturinave për tre vitet e ardhshme, me një vlerë prej 16.5 milionë euro, i ndarë në gjashtë lote. Megjithatë, kriteret e vendosura në dosjen e tenderit dhe njoftimin për kontratë tregojnë se disa specifika teknike kufizojnë konkurrencën, duke favorizuar një operator të vetëm ose duke diskriminuar të tjerët. Këtë e ka konstatuar Paneli i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) në vendimin e tij final për këtë tender të komunës, i cili ka qenë në shqyrtim për disa javë, shkruan Demokracia.com.
Paneli ka urdhëruar që Komuna e Prishtinës të përmirësojë kriteret dhe të zgjasë afatin për ofertim, sipas Ligjit të Prokurimit Publik (LPP). Raporti i OSHP-së duhej të publikohej menjëherë pas vendimit në faqen zyrtare të OSHP-së, por u publikua me një vonesë. Ky raport konfirmon raportimet e Demokracia.com të datës 6 janar, ku rekomandohet përmirësimi i specifikave të kundërligjshme në tenderin 16.5 milionë euro.
Paneli i OSHP-së, pas shqyrtimit të provave dhe analizës së plotë të situatës faktike, duke u bazuar në LPP dhe shkresat e dorëzuara, ka gjetur se ankesa e Operatorit Ekonomik është e bazuar. Prandaj, Paneli ka vendosur që komuna të korrigjojë kriteret e tenderit dhe të zgjasë afatin për ofertim në përputhje me ligjin. Komuna duhet të informojë OSHP-në për veprimet e marrë brenda 10 ditësh, në mënyrë që të shmang masa disiplinore sipas ligjit për mosrespektimin e vendimit të OSHP-së.
Fillimisht, shkeljet e komunës u evidentuan nga ekspertja e OSHP-së, megjithatë raporti i saj nuk ishte obligim për Panelin. Ky panel ka përcaktuar se Komuna e Prishtinës duhet të përmirësojë specifikat në përputhje me rekomandimet e ekspertëve të tyre.
Ekspertja ka vërejtur se në pajtim me LPP-në, Rregulloren Nr. 001/2022 dhe Udhëzuesin Nr. 001/2023 për Prokurimin Publik, Autoritetet Kontraktuese duhet të përcaktojnë kriteret e vlerësimit, duke garantuar transparencën, mosdiskriminimin dhe trajtimin e barabartë, si dhe një nivel të përshtatshëm konkurrencë. Kërkesat minimale për kualifikim duhet të jenë të arsyeshme dhe të mjaftueshme në raport me vlerën e kontratës dhe përdorimin e drejtë të fondeve publike, duke përfshirë OE të themeluar rishtazi që plotësojnë këto standarde. AK duhet të ketë parasysh se kërkesat e panevojshme jo vetëm që janë të vështira për tu përmbushur, por gjithashtu rrisin kostot për OE, të cilat më pas transferohen te AK përmes çmimit të tenderit. Për të siguruar një proces të drejtë dhe në përputhje me legjislacionin, rekomandohet që AK-ja të korrigjojë dosjen e tenderit për të adresuar mosmarrëveshjet në përputhje me nenin 7 dhe nenin 69.4.5 të LPP-së dhe të shtyjë afatin për ofertim sipas nenit 53.7 të LPP-së. Eksperti shqyrtues rekomandon se ankesa konsiderohet e bazuar dhe rekomandohet që AK-ja: Të eliminojë kërkesat që reduktojnë në mënyrë të padrejtë konkurrencën ose favorizojnë OE-të specifike. Të përfshijë mekanizma të tjerë të sigurisë kontraktuale si garancitë financiare dhe verifikimet pas përzgjedhjes së fituesit. Të sigurojë që çdo kriter i përcaktuar në tender të jetë proporcional dhe i nevojshëm për përmbushjen e kontratës.
Me poshtë mund të gjeni raportimet e Demokracia.com dhe gjetjet e ekspertes me të gjitha pikat e shkeljes. /Demokracia.com/