Zyrtare: Igor Tudor merr drejtimin e Juventusit

Juventusi përmes një njoftimi në rrjetet sociale ka bërë me dije se kanë shkarkuar trajnerin Thiago Motta dhe kanë emëruar në vend të tij Igor Tudor.

Pas një serie të dobët rezultatesh dhe dështimit për të arritur objektivat e klubit, drejtuesit e ‘Zonjës së Vjetër’ morën vendimin për të ndarë rrugët me Mottan.

Për ta zëvendësuar atë, udhëheqjen ia besuan kroatit Igor Tudor i cili do ta drejtojë klubin për pjesën e mbetur të sezonit.

Juventus njofton se ka liruar Thiago Mottan nga detyrat e tij si trajner i ekipit të parë të meshkujve.

“Klubi falenderon Thiago Mottan dhe gjithë stafin e tij për profesionalizmin e treguar dhe për punën e kryer në këto muaj me pasion dhe përkushtim, duke i uruar më të mirat në të ardhmen”.

“Juventus njofton gjithashtu se drejtimin e ekipit të parë të meshkujve ia ka besuar Igor Tudor i cili do të drejtojë seancën e parë stërvitore nesër”, thuhej në njoftimin e gjigantit italian.

Ndeshja e tij e parë në krye të ‘Bianconerëve’ do të jetë ajo ndaj Genoas e cila do të luhet më datë 29 mars në ‘Allianz Stadium’.