ZYRTARE: Chelsea nuk ndalet në merkato, transferon 19-vjeçarin për 43 milionë euro

Chelsea vazhdon të jetë shumë aktive në merkato. “Blutë” kanë zyrtarizuar ditën e sotme marrëveshjen me Ajax për transferim e Jorrel Hato, mbrojtësit holanez, 19 vjeç, i konsideruar si një lojtar me perspektivë të madhe.

Mbrojtësi 19-vjeçar ka nënshkruar një kontratë afatgjatë me Chelsea-n deri në vitin 2032 dhe do t’u bashkohet shokëve të tij të rinj të ekipit këtë javë.

“Jam shumë i emocionuar, jam shumë i lumtur që do jemë pjesë e Chelsea-s. Mendova shumë për të ardhmen time dhe doja të bëja hapin tjetër në karrierën time. Chelsea është vendi më i mirë për mua për ta bërë këtë, kështu që jam shumë i lumtur”, u shpreh Hato në intervistën e parë për faqen zyrtare të klubit.

Ai nënshkroi kontratën e tij të parë profesionale në vitin 2022 në moshën 16-vjeçare dhe shpejt la gjurmë si në Ligën e të Rinjve UEFA ashtu edhe për Jong Ajax, ekipin rezervë të klubit të Ajax-it.

Po atë vit, ai u bë lojtari i tretë më i ri që debutoi ndonjëherë për Ajax në Eredivisie, vetëm 16 vjeç, në një ndeshje kundër Cambuur. Në fund të sezonit, ai luajti si titullar në finalen e Kupës së Holandës, një dëshmi e ngritjes së tij të shpejtë.

Që nga fillimi i sezonit 2023/24, Hato ka qenë praktikisht gjithmonë i pranishëm në skuadrën e Ajax. Paraqitjet e tij tërhoqën vëmendjen e shumë klubeve të mëdha, por Chelsea u tregua më e shpejtë. Po ashtu, Hato mbajti shiritin e kapitenit për Holandën U21 në kampionatin europian për këtë moshë që u zhvillua në qershor.

The post ZYRTARE: Chelsea nuk ndalet në merkato, transferon 19-vjeçarin për 43 milionë euro appeared first on Telesport.