Zyrtare/ Aksidenti i autobusit të Skënderbeut, shtyhet ndeshja

Këtë të shtunë, autobusi i ekipit të femrave të volejbollit “Skënderbeu” u përfshi nga një aksident, në aksin Prrenjas-Qafë Thanë. Për këtë arsye, Federata Shqiptare e Volejbollit ka bërë me dije se sfida është shtyrë për një datë tjetër.

Postimi:

Njoftim i Rëndësishëm
Sot, rreth orës 11:00, në aksin rrugor Qafë Thanë – Librazhd, automjeti që transportonte ekipin e volejbollit për femra të Skënderbeut të Korçës, i nisur drejt Tiranës për të zhvilluar ndeshjen e dytë finale të Superligës në Pallatin e Sportit në Farkë (ora 17:00), u përfshi në një aksident rrugor me një automjet tjetër.
Për pasojë, të gjithë të pranishmit në automjetin e ekipit të Skënderbeut kanë pësuar dëmtime të lehta, ndërsa dy nga lojtaret janë dërguar në spitalin e qytetit të Prrenjasit për një ndihmë më të specializuar. Gjendja e tyre është e stabilizuar.
Nisur nga rrethanat e ngjarjes, Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Volejbollit, bazuar në Rregulloren e Brendshme,
Vendosi:
1. Ndeshja e dytë finale në Kampionatin e Superligës së Femrave midis Tiranës dhe Skënderbeut, e programuar të zhvillohej më 26.04.2025, ora 17:00, në Pallatin e Sportit Farkë, nuk do të zhvillohet.
2. Federata Shqiptare e Volejbollit do të njoftojë së shpejti për datën dhe orarin e ri të zhvillimit të ndeshjes së dytë finale, sapo të ketë një vlerësim të plotë të gjendjes shëndetësore të ekipit të Skënderbeut.
Federata Shqiptare e Volejbollit u uron të gjithë sportisteve një shërim të shpejtë dhe rikthim sa më të shpejtë në parket.